Franca falënderon Kosovën për mbështetje pas zjarrit në Notre-Dame
Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë simbolike të parave prej 20 mijë eurosh në kontribut të restaurimit të Katedrales Notre-Dame në Francë që u përfshi nga një zjarr aksidental.
Kjo ndarje e fondeve simbolike nga Qeveria e Kosovës ka shkaktuar debat të madh dhe reagime të ndryshme nga politikanët.
Franca nëpërmjet ambasadës së vet në Kosovë, ka falënderuar përzemërsisht Kosovën, autoritetet politike, fetare dhe shoqërinë civile për mesazhin e dhënë.
“Ambasada franceze në Kosovë dëshiron t’i falënderojë ngrohtësisht autoritetet politike, fetare dhe shoqërinë civile të Kosovës për mesazhin e tyre mbështetës pas zjarrit që shkatërroi një pjesë të katedrales Notre-Dame në Paris”, thuhet në falënderimin e ambasadës së Francës.
Më tutje, ata kanë shkruar se kjo është dëshmi e simpatisë dhe miqësisë që e ndjen populli francez, duke vazhduar me falënderim edhe për Qeverinë për fondet e ndara.
“Këto janë dëshmi të simpatisë dhe miqësisë që shkojnë në ndjenjat e popullit francez. Franca falënderon gjithashtu Qeverinë e Kosovës për kontributin e saj në fondin për restaurimin e Notre-Dame”, thuhet në falënderim në fund.