Franca i kërkon Kosovës ta pranojë propozimin e Borrellit për targat
Pas dështimit të arritjes së një marrëveshje për targat në Bruksel të martën ka reaguar edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot.
Ai ka thënë se vendi i tij shpreh keqardhje që nuk është arritur një marrëveshje, duke i bërë thirrje palëve, veçanërisht Kosovës, të pranojnë propozimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell për targat.
“Franca shpreh keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas takimit të 21 nëntorit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. Ajo i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Evropian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve dhe në veçanti Kosovës, ta pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Europian”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Po ashtu, ai ka thënë se Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin e BE-së, por ka thënë se ajo duhet ta bëjë të mundur përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për të ecur përpara drejt një perspektive evropiane të të dyja vendeve.
Gjithashtu, ambasadori francez, ka thënë se duhet të zbatohet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
https://twitter.com/Olivier_Guerot/status/1595051743552864260?s=20&t=eavZtMW8fP6SbCA5x4zXog