Franca kërkon pikë olimpike në Botërorin e Basketbollit
Në fund të këtij muaji nis kampionati Botëror i Basketbollit për meshkuj që do të zhvillohet në Kinë. Përfaqësuesja franceze ka nisur tashmë përgatitjet për këtë eveniment ku ShBA-ja është kampione në fuqi me skuadrën amerikane që ditët e fundit është përballur me braktisjen e lojtarëve kryesorë të saj si James Harden, Anthony Davis, Kevin Love, Damian Lillard etj.
Botërori i Basketbollit është në të njëjtën kohë edhe mundësia më e mirë për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike të Tokios dhe Franca duhet të jetë një prej 2 skuadrave më të mira evropiane në këtë Kupë Bote për ta siguruar pjesëmarrjen në ngjarjen më të rëndësishme sportive të vitit të ardhshëm. Por ekziston edhe një mundësi tjetër për të qenë në “Tokyo 2020”; kualifikimi për në 1/8 e finaleve të Botërorit dhe fitorja në një prej turneve kualifikuese për Olimpiket. “Unë preferoj kualifikimin e drejtpërdrejtë për në Lojërat Olimpike të Tokyos që është edhe rruga më e komplikuar”, tha trajneri i përfaqësueses franceze Vincent Collet, duke shtuar se “kjo do të thotë se ne duhet të jemi të paktën në gjysmëfinale dhe ka shumë mundësi që në podium të jenë dy skuadra evropiane”.
Trajneri i Bluve bëri me dije se do ta publikojë listën e 12 basketbollistëve me të cilët do të shkojë në Botërorin e Kinës gjatë fazës përgatitore që skuadra do ta zhvillojë në Lyon më 11-17 gusht.
Stafi ka të drejtën që të marrë me vete edhe një lojtar të 13 në rast se do të ketë ndonjë dëmtim të paparashikuar gjatë turneut. Franca ndodhet në Grupin G të Botërorit të Kinës së bashku me Republikën Domenikane, Gjermaninë dhe Jordaninë.