Franca kërkon shtyrje të vendimit për anëtarësim të Kosovës në KiE
Fushata e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është shoqëruar me një mohim të vazhdueshëm të Qeverisë Kurti se ekziston ndonjë ndërlidhje mes çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe anëtarësimit të Republikës së Kosovës në KiE.
Përkundër retorikës politike të Qeverisë e cila vazhdimisht ka vënë në spikamë faktin se Kosova ka përmbushur çdo kusht të nevojshëm për formulim në KiE, edhe sipas opinionit të përgatitur nga Dora Bakoyannis, vende me ndikim vendimtar si Franca dhe Italia prej kohësh kanë vënë në dijeni kryeministrin Kurti se fillimi i hapave domethënës në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin është një kusht i patejkalueshëm për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Pavarësisht përplasjeve të brendshme në Këshill dhe mosmarrëveshjeve të Qeverisë Kurti me disa prej vendeve anëtare, duket se procesi tashmë është futur në fazën vendimtare dhe lajmi i fundit për Republikën e Kosovës duket se nuk është aspak i këndshëm.
Burime diplomatike të Albanian Post bëjnë me dije se nesër në Strasburg pritet të mbahet takimi i fundit i ambasadorëve para takimit të ministrave ku pritej edhe të merret vendimi i shumëpritur për Kosovën.
Gjatë kësaj periudhe vendet e Quint-it i kanë kërkuar kryeministrit Kurti që të bëjë përparime në çështjen e Asociacionit duke e dërguar statutin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Duke marrë parasysh faktin se përkundër zotimeve Qeveria Kurti nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, sot Franca ka bërë një demarsh te vendet anëtare të KiE-së, duke kërkuar shtyrjen e vendimit për Kosovën.
Siç mëson Albanian Post, nesër ambasadorët e vendeve anëtare të KiE-së pritet që të mos e fusin në programin e ministerialit të majit çështjen e anëtarësimit të Kosovës.
Ndonëse qëndrimi gjerman nuk ka qenë i qartë deri në këtë moment, tashmë duket qartë se edhe Gjermania mban qëndrim se Qeveria Kurti duhet të ndërmarrë hapa konkretë në çështjen e Asociacionit për të marrë anëtarësimin në KiE.
Franca, Gjermania dhe Italia tashmë janë të qëndrimit se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në KiE mund të shtyhet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të dëshmojë përkushtimin e saj për zbatim të Asociacionit duke dërguar draftin në Gjykatën Kushtetuese.
Vlen të theksohet se këtë qasje nuk e ka mbështetur edhe Mbretëria e Bashkuar, sipas së cilës, çështja e Asociacionit si produkt i bisedimeve të Brukselit nuk duhet të ngatërrohet me çështjen e anëtarësimit në KiE.
Tani për tani nuk ka fare lidhje nëse këto qëndrime janë në frymën e standardeve themelore të KiE-së. Ajo që duket qartë tashmë është se vendimmarja për anëtarësim të Republikës së Kosovës në KiE pritet të shtyhet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do ta dërgoj statutin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Pavarësisht epilogut të mbledhjes së nesërme, ekziston mundësia teknike që Kosova të futet në agjendë edhe pak ditë para mbledhjes ministeriale.
Është e qartë ama se kjo nuk do të ndodh në mungesë të një përparimi të dukshëm në drejtim të zbatimit të Asociacionit nga ana e Kryeministrit Kurti.