Franca kundër Gjermanisë për çështjen e Brexit-it
Franca ka thënë se është kundër një diskutimi të sërishëm të marrëveshjes së Brexit-it, vetëm disa orë pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel i tha Britanisë së Madhe të përgatisë një plan për çështjen e kufirit irlandez, brenda 30 ditësh.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes.
Të mërkurën, pas një takimi me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson, kancelarja Merkel, tha se plani që i ka kërkuar Britanisë së Madhe kërkon një “qartësi absolute” mbi marrëdhëniet e ardhshme pas Brexitit, midis Britanisë së Madhe dhe BE-së.
Merkel thotë se brenda 30 ditësh mund të gjendet një zgjidhje për Brexit-in
Kryeministri Johnson, tha se ekziston një “hapësirë e mjaftueshme ” për të arritur një marrëveshje të re.
Marrëveshja e negociuar nga BE-ja dhe ish-kryeministrja britanike, Theresa May është rrëzuar nga parlamenti britanik tri herë rradhazi.
Kryeministri Johnson ka këmbëngulur se Britania e Madhe dëshiron të largohet nga BE-ja me një marrëveshje të rinegociuar të tërheqjes, por që sipas tij, edhe nëse nuk do të ndodhë diçka e tillë, vendi do të dalë nga BE-ja më 31 tetor.