Franca me masa të ashpra rreth përdorimit të celularëve në orë mësimi në shkolla të mesme

13 prill 2025 | 09:13

Franca po planifikon të forcojë ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme, duke vendosur që nxënësit e moshës 11 deri në 15 vjeç t’i mbyllin pajisjet e tyre në dollapë ose çanta në fillim të ditës mësimore dhe t’i përdorin sërish vetëm në përfundim të saj.

Ministrja e Arsimit ka deklaruar në senat se synimi është që fëmijët të shkëputen plotësisht nga celularët gjatë gjithë ditës shkollore, duke filluar nga shtatori në të gjitha shkollat e mesme të Francës, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Elisabeth Borne u shpreh: “Në një kohë kur përdorimi i telefonave është gjithnjë e më shumë në diskutim për shkak të pasojave të shumta negative, ky hap është i domosdoshëm për mirëqenien dhe arritjet e nxënësve tanë.”

Që nga viti 2018, Franca e ka ndaluar përdorimin e celularëve në shkollat e mesme – të quajtura colleges. Ky ndalim ka përfshirë mbajtjen e telefonave të fikur në çanta dhe ndalimin e përdorimit të tyre kudo në ambientet shkollore, madje edhe gjatë pushimeve.

Sipas shkollave, ky rregull ka dhënë rezultate pozitive: fëmijët janë më aktivë fizikisht, kanë më shumë ndërveprime shoqërore, më pak raste ngacmimi dhe një përqendrim më të mirë në mësime. Megjithatë, janë hasur raste ku disa nxënës janë përpjekur të përdorin telefonin fshehurazi në tualete për të parë video gjatë pushimeve.

Tashmë qeveria franceze synon të shkojë edhe më tej me një shkëputje të plotë nga teknologjia gjatë gjithë ditës. E ashtuquajtura “pauzë dixhitale” e detyrueshme është testuar në një program pilot në rreth 100 shkolla për gjashtë muaj. Në këtë program, telefonat dorëzohen në hyrje dhe vendosen në një dollap, kuti të veçantë, ose në çanta që mund të çelen vetëm përmes një mekanizmi elektronik kur nxënësit largohen për në shtëpi./The Guardian/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte do të luhet ndeshja e dytë çerekfinale në mes…