Franca mposhti Belgjikën, kualifikohet në çerekfinale
“Gjelat” e Francës kanë arritur një fitore të madhe, në “Merkur-Spiel Arena”, të Dyseldorfit, teksa përballë “Djajve të Kuq”, të Belgjikës mundën të siguronin rezultatin 1 me 0, duke avancuar kështu për në fazën çerekfinale, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
Pavarësisht një loje të dominuar totalisht nga djemtë e teknikut Didier Deschamps goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e vonë, të 84’-t, ku një aksion perfekt i “Gjelave” është finalizuar më së miri nga “ylli” i PSG, Randal Kolo Muani, i cili shfrytëzon më së miri një pasim të Antoine Griezmann, duke e dërguar topin në rrjetën e Casteels.
Siç theksuam edhe më lart, nënkampionët e botës kanë siguruar çerekfinalen e Euro 2024, ku përballë tyre, në sfidën e 5 korrikut, që do të zhvillohet në “Volksparkstadion”, të Hamburgut, do të jetë fituesi i çiftit, Portugali-Slloveni, me portugezët që janë padyshim favoritët për të fituar këtë sfidë, teksa pritet të kemi në gjysmëfinale, një përsëritje të finales, së Euro 2016.