Franca mposhti Gjermaninë
Kampionia në fuqi e botës, Franca e nis me këmbën e mbarë Kampionatin Evropian “Euro 2020”, duke regjistruar fitore ndaj Gjermanisë (1-0). “Finalja” e parakohshme e këtij kampionati dhuroi shumë emocione dhe në fund francezët dolën fitues fal një autogoli të Mats Hummels.
Pogba dhe Mbappe provuan të shënojnë, por pa sukses. Në minutën e 20-të, Pogba shërben Hernandezin, i cili më pas tenton të shërbejë për shokët e tij në zonë, por topi shkon te Hummels, i cili në tentim për ta larguar e dërgon në rrjetën e portës së Neuerit.
Gjermanët patën mundësi të barazojnë në pjesën e parë por Gundogan dhe Gnabry nuk shënojnë. Në minutën e 66-të, Mbappe e shënoi golin e dytë për Francën, por ky gol nuk u pranua për shkak të pozitës jashtë loje. Mbappe pati edhe një rast të mirë, por Hummels bëri ndërhyrje vendimtare duke mos lejuar që Neueri të mposhtet për herë të dytë.
Franca pak minuta para fundit e shënoi edhe golin e dytë me anë të Benzemas, por edhe ky gol nuk u pranua sepse Mbappe në momentin e pranimit të topit ishte në pozitë jashtë loje.
Në anën tjetër Gjermania u mundua të barazoi rezultatin, por sulmet e tyre përfunduan pa sukses dhe ndeshja u mbyll me rezultat 1-0.