
Franca nën alarm pas sulmeve në burgje: Akte terroriste, do të përgjigjemi pa mëshirë
Franca është përballur me një valë sulmesh të koordinuara ndaj burgjeve në të gjithë vendin, të cilat autoritetet i kanë cilësuar si “akte terroriste”. Sulmet ndodhën pas goditjes së qeverisë kundër trafikut të drogës dhe duket se janë një përgjigje e dhunshme nga grupet kriminale.
Të hënën në mbrëmje, automjete u dogjën dhe një burg në Toulon u qëllua me armë zjarri, përfshirë një kallashnikov. Në total, shtatë burgje u vunë në shënjestër në Toulon, Aix-En-Provence, Marseille, Valence dhe Nîmes në Francën jugore dhe në Villepinte dhe Nanterre, pranë Parisit.
Të martën, ministri i Drejtësisë i Francës Darmanin vizitoi burgun La Farlede të Toulonit, ku persona të armatosur hapën zjarr mbi portën e burgut me një kallashnikov, ndërkohë që Prokuroria e Francës kundër terrorizmit ka nisur një hetim.
“Jam i kënaqur që zyra e prokurorisë kombëtare kundër terrorizmit ka ndërmarrë veprime sepse kjo është jashtëzakonisht serioze. Këto janë sulme terroriste. Mjete të rëndësishme po përdoren për të gjetur autorët dhe ata do të marrin dënime jashtëzakonisht të rënda”, u tha ai gazetarëve.
Sipas tij “aktet e frikësimit kundër punonjësve të burgjeve” lidheshin me përpjekjet e qeverisë për të luftuar krimin e drogës.
“Mund të jetë gjithashtu sepse i kemi goditur aty ku dhemb dhe për herë të parë në dekada, Franca po merr masa jashtëzakonisht serioze kundër trafikut të drogës”, theksoi ai.
Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë, por në disa nga vendet e sulmeve janë gjetur grafite me inicialet DDPF – “Të drejtat e të burgosurve francezë” – si dhe slogane me përmbajtje anarkiste.
Më herët të martën, ministri i Brendshëm Bruno Retailleau tha se përgjigja e qeverisë duhet të jetë e pamëshirshme. “Ata që sulmojnë burgjet dhe oficerët meritojnë të mbyllen në ato burgje dhe të monitorohen nga ata oficerë,” postoi ai në X.
Ai shtoi se kishte udhëzuar policinë që të forconte menjëherë sigurinë në ambientet e burgut.
Sindikatat e rojeve të burgjeve kanë ngritur alarmin për mungesën e sigurisë dhe kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur stafin. Në disa raste, janë djegur edhe automjetet personale të punonjësve të burgjeve dhe është raportuar një kërcënim në shtëpinë e një oficeri në Nancy.
Darmanin dhe Retailleau janë zotuar të trajtojnë plagën e trafikut të drogës dhe dhunës në Francë mes një rritjeje të krimit të lidhur me bandat.
Në shkurt, ministria e Brendshme njoftoi një numër rekord të konfiskimeve të kokainës në 11 muajt e parë të 2024 – 53.5 ton, një rritje prej 130% nga 23.2 ton të sekuestruara në 2023. Retailleau tha se Franca ishte goditur nga një “tsunami i bardhë”.
Darmanin ka propozuar një sërë masash për të forcuar sigurinë e burgjeve, duke përfshirë krijimin e burgjeve të dedikuara të sigurisë së lartë për të izoluar bosët e drogës që drejtojnë perandoritë e tyre nga prapa hekurave.
Një ligj po kalon në parlamentin francez i cili krijon një zyrë prokurorie speciale për t’u marrë me krimin e drogës, me kompetenca të reja për hetuesit.