Franca nis hetime pas zhdukjes së shefit të Interpolit
Autoritetet franceze kanë nisur hetime, meqë presidenti i Agjencisë së Policisë Ndërkombëtare, Interpol, Meng Hongwei, është raportuar i zhdukur, pasi ka udhëtuar në shtetin e tij të origjinës, Kinë.
Gruja e Hongwei ka kontaktuar policinë në Lion, qytetin francez ku ka selinë kjo agjenci, pasi burri i saj nuk është lajmëruar prej kur ka arritur në Kinë më 29 shtator, kanë thënë burime nga policia dhe gjyqësori.
Interpoli ende nuk ka komentuar asgjë rreth këtij rasti.
Funksioni kyç i kësaj agjencie është të ofrojë mekanizma për forcat policore në vende të ndryshme, ashtu që ato të njoftojnë njëra-tjetrën për të dyshuarit e kërkuar.
Meng, 64 vjeçar, është emëruar president i Interpolit më 2016, pasi ka mbajtur një varg pozitash të larta në Kinë, duke përfshirë pozitën e zëvendësministrit.
Mandati i tij në agjencinë ndërkombëtare është deri më 2020.
Vëzhguesit e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre se Kina mund të përdorë pozitën e Meng për të ndjekur disidentët jashtë shtetit.
Kina ka tentuar disa herë të kërkojë ndihmë nga shtetet e huaja për t’i arrestuar dhe deportuar qytetarët kinezë që akuzohen në vendin e tyre për krime përfshirë korrupsionin dhe terrorizmin.