Franca organizon konferencë ndërkombëtare për të ndihmuar Ukrainën
Franca do të organizojë një konferencë ndërkombëtare për të ndihmuar Ukrainën, për të forcuar qëndrueshmërinë civile të vendit gjatë dimrit.
“Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, arritën një marrëveshje për organizimin e konferencës gjatë një bisede telefonike”, njoftoi Pallati Élysée.
“Furnizimi me ujë dhe infrastruktura elektrike e Ukrainës kanë pësuar dëme të mëdha pas sulmeve ruse. Duhet të veprojmë përpara se të nis dimri”, shkroi Macron në Twitter.
“Ne do të mobilizojmë shpejt komunitetin ndërkombëtar dhe sektorin privat”, shtoi ai.
“Përgatitjet për konferencën e Parisit më 13 dhjetor duhet të fillojnë së shpejti”, tha pallati.
Një konferencë dypalëshe më 12 dhjetor do të shërbejë për të mobilizuar kompanitë franceze.
Macron dhe Zelensky diskutuan gjithashtu situatën aktuale në terren dhe zhvillimet e fundit në kundërsulmin e Ukrainës.
“Siç i konfirmova këtë mëngjes presidentit Zelensky, ne jemi plotësisht të mobilizuar për të rritur mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e saj ajrore”, shkroi Macron në Twitter.