Franca paralajmëron për rritje të antisemitizmit
Në 80-vjetorin e sulmit nazist mbi hebrenjtë në Gjermani, kryeministri i Francës, Edouard Philippe, ka zbuluar një rritje prej 69 për qind të incidenteve antisemite këtë vit.
“Jemi shumë larg çlirimit të vetes nga antisemitizmi”, ka thënë Philippe, duke i bërë thirrje Francës që të mos mbetet indiferente ndaj rritjes së “pamëshirshme”.
Ajo që njihet si Nata e Kristaltë e vitit 1938 ka sjellë dhunë të shfrenuar kundër hebrenjve.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se nuk ka fjalë për ta përshkruar atë.
Në një fjalim në sinagogën Rykestrasse në Berlin, ajo ka thënë se nata e masakrës ka çuar në Holokaust dhe “prapë antisemitizmi vazhdon të lulëzojë në publik dhe në internet”.
“Fatkeqësisht është bërë pothuajse e zakonshme që çdo sinagogë, shkollë hebraike, çerdhe, restorant dhe varrezë të ruhet nga policia ose të ketë mbrojtje të posaçme”, është shprehur Merkeli.