Franca përplaset me kompaninë farmaceutike Sanofi. SHBA-ja, mollë sherri
Qeveria franceze ka kritikuar kompaninë farmaceutike Sanofi, duke thënë se do të ishte e papranueshme që t’i jepte prioritet tregut amerikan nëse zhvillon një vaksinë kundër Covid-19.
Reagimi erdhi pas komenteve të firmës së njohur, që pohonte se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka të drejtë të bëjë porosinë më të madhe pasi ka investuar duke marrë përsipër riskun e këtij projekti”.
Laboratorë të shumtë në të gjithë botën janë përfshirë në kërkime për të gjetur një vaksinë kundër Covid-19, por zhvillimi i tyre zakonisht merr vite. Më herët, Bashkimi Europian zhvilloi një samit për të nxitur kërkimet shkencore duke mbledhur 8 miliardë dollar donacione nga 40 shtete.
Qëllimi është të financojë zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit dhe trajtimeve efikase. Në këtë nismë nuk mori pjesë Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke marrë shkas nga deklarata e kompanisë franceze, Sanofi, BE tha se të gjitha vendet duhet të kenë qasje të barabartë tek vaksina.