Franca premton mbështetje për planin e Ukrainës për t’i dhënë fund pushtimit rus
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, është zotuar se vendi i tij do ta mbështesë planin e Ukrainës për t’i dhënë fund luftës mbi dyvjeçare e gjysmë me Rusinë, duke thënë në Kiev të shtunën se do të punojë me zyrtarë ukrainas për të siguruar mbështetjen e vendeve të tjera për këtë plan.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shpalosi këtë javë para liderëve perëndimorë “planin e fitores” së Kievit, përmes të cilit shpreson se do ta detyrojë Rusinë t’i japë fund pushtimit të Ukrainës përmes bisedimeve.
Ky plan është duke u shqyrtuar nga partnerët perëndimorë të Ukrainës, mbështetja nga të cilët ka qenë jetik në përpjekjet e Kievit për t’i bërë ballë fqinjit të vet të madh.
Një pikë kyçe në plan është kërkesa për ftesë formale për Ukrainën për t’u bërë anëtare e NATO-s, të cilët mbështetësit perëndimorë kanë ngurruar ta shqyrtojnë pa përfunduar lufta.
“Një fitore e Rusisë do të ishte përulje para ligjit të të fortit dhe do ta shtynte rendin ndërkombëtar drejt kaosit”, tha Barrot në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha.
“Kjo është arsyeja pse shkëmbimet tona duhet të na mundësojnë të shënojmë përparim në planin e fitores së presidentit Zelensky dhe t’i bindim sa shumë vende ta mbështesim atë”, shtoi ai.
Prej kur nisi pushtimi më 2022, Franca ka qenë një nga mbështetëset më të fuqishme ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të Ukrainës në Evropë.
Ajo është duke e stërvitur pajisur një brigadë të re të ushtarëve ukrainas për dislokim në vijën e parë të frontit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu ka bërë thirrje më parë për një ndryshim të politikës nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, që mund të ndryshojë natyrën e luftës – duke e lejuar Kievin të godasë bazat ushtarake brenda Rusisë me armë të sofistikuara me rreze të gjatë veprimi të siguruara nga partnerët perëndimorë, që përfshijnë edhe raketat nga Franca.
Armët me rreze të gjatë veprimi janë pjesë kyçe e planit të Zelenskyt me pesë pika, por deri tani aleatët e Kievit kanë ngurruar t’ia japin atij dritën jeshile.
Barrot gjithashtu njoftoi se Franca do ta kryejë dërgesën e parë të avionëve luftarakë Mirage 2000 në Ukrainë në tre muajt e parë të vitit 2025. Pilotët dhe mekanikët ukrainas janë stërvitur për t’i drejtuar dhe mirëmbajtur ata.
“Duke i bërë ballë pushtuesit me guxim të jashtëzakonshëm, ju nuk po luftoni vetëm për integritetin territorial të Ukrainës, por gjithashtu po mbani një vijë të frontit që ndan Evropën nga Rusia e Vladimir Putinit, që ndan lirinë nga shtypja”, tha ministri francez në Kiev.