Franca riatdheson 51 qytetarë nga kampet e IS-it në Siri
Autoritetet franceze thanë më 5 korrik se kanë riatdhesuar 51 gra dhe fëmijë nga zonat në Siri që më herët kontrolloheshin nga grupi militant, Shteti Islamik (IS).
Ky është grupi më i madh i personave që janë riatdhesuar në Francë nga kampet në verilindje të Sirisë, qëkur IS-i u mposht në mars të vitit 2019. Franca ka pasur numrin më të lartë të qytetarëve që i janë bashkuar IS-it sesa çdo shtet tjetër në Evropë.
Në grupin e të riatdhesuarve janë 16 gra, nga mosha 22 deri në 39 vjeç dhe 35 të mitur, shtatë prej të cilëve u kthyen në Francë të pashoqëruar nga familjarë të moshës madhore. Të gjithë, përveç dy grave, janë shtetas francez. Dymbëdhjetë gra u kthyen me fëmijët e tyre dhe katër gra më herët ishin që fëmijët e tyre të ktheheshin, u tha në deklaratën e Zyrës së Prokurorit Kombëtar për kundërterrorizëm.
Tetë gra u dërguan në mbajtje, me qëllim që të merren në pyetje nga autoritetet, ndërkaq tetë të tjera u arrestuan, pasi ndaj tyre kishte pasur fletarrestime. Për fëmijët e kthyer do të përkujdesen shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve.
Një prej 35 të miturve është në mbajtje policore, nën dyshimin se ka marrë pjesë në aktivitete të ndërmarrjes terroriste, u tha në deklaratën e Prokurorisë, ku u tha se i mituri shumë shpejt do të mbushë 18 vjet.
Shumë shtete evropiane janë treguar të ngadalta në lejimin e kthimit të grave dhe fëmijëve nga frika se ata mund të jenë të dhunshëm. Franca, që ka pasur më shumë shtetas të saj që i janë bashkuar IS-it në Siri se çdo shtet tjetër evropian dhe ka përjetuar disa sulme vdekjeprurëse më 2015, ka qenë veçmas nguruese për rikthimin e shtetasve të saj, raporton “Rel”.
Autoritetet franceze kanë insistuar se personat në moshë madhore, që kanë luftuar përkrah IS-it, duhet të ndiqen penalisht në shtetin ku kanë kryer krime.
Në dhjetor, një grua 28-vjeçare franceze me diabet vdiq në një kamp në Siri, duke lënë pas vajzën e saj gjashtëvjeçare, ka thënë avokati i familjes së saj. Ajo kishte kërkuar kthimin në Francë që nga viti 2019.