
Franca shpall non grata gjashtë agjentë rusë, paraqiteshin si diplomatë
Autoritetet franceze shpallën të hënën e 11 prillit gjashtë agjentë rusë që paraqiteshin si diplomatë – persona non grata.
Kjo, pasi një hetim nga shërbimet vendase të inteligjencës arriti në përfundimin se ata po punonin kundër interesave kombëtare franceze.
Lajmin e bën të ditur agjencia “Reuters”, e cila citon Ministrinë e Jashtme franceze.
“Pas një hetimi shumë të gjatë, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Brendshme (DGSI) zbuloi të dielën e 10 prillit një operacion klandestin të kryer nga shërbimet e inteligjencës ruse në territorin tonë”, zbuloi Ministria e Jashtme franceze në një deklaratë.
Institucioni francez i diplomacisë nuk zbuloi detaje të tjera nga ky operacion.
“Gjashtë agjentë rusë që veprojnë nën mbulim diplomatik dhe aktivitetet e të cilëve rezultuan në kundërshtim me interesat tona kombëtare janë shpallur persona non grata”, shtoi ministria.