Franca synon t’i ndalojë me ligj lajmet e rrejshme gjatë kohës së zgjedhjeve
Franca është duke punuar për përgatitjen e një ligji kundër lajmeve të rreme (“Fake News”) gjatë fushatave zgjedhore.
Ministrja e Kulturës, Francoise Nyssen, ka zbuluar një pjesë esenciale të planit të legjislacionit të ri të shpallur më 4 janar nga presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë një konference për shtyp, në fillim të vitit në pallatin e Elizesë.
”Ligji mbi besimin dhe besueshmërinë e informacionit” do të paraqitet në parlament nga partia ”La République En Marche”, përcjell Atsh.
Sidoqoftë, ai do të jetë i vlefshëm vetëm gjatë periudhës së fushatave zgjedhore, maksimumi deri në pesë javë përpara votimeve (legjislative, presidenciale), por zbatueshmëria mund të zgjatet edhe për zgjedhjet bashkiake dhe sektorin e shëndetit publik, në veçanti, në lidhje me vaksinat.
Ligji i ri francez kundër ” ‘Fake News” pritet në fund të majit.