Franca thërret në bisedë ambasadorin rus

07 prill 2022 | 13:30

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se ka thirrur në bisedë ambasadorin rus në Paris, lidhur me një postim “të pahijshëm” në Twitter, përmes së cilit përpiqej të portretizonte masakrën në qytetin ukrainas Buça, si ngjarje të rreme.

“Të përballur me komunikimin e pahijshëm dhe provokues nga Ambasada ruse në Francë lidhur me mizoritë në Buça, kam vendosur që ta thërras në bisedë ambasadorin rus. Ne do të vazhdojmë të luftojnë kundër të gjithë manipulimit rus lidhur me luftën në Ukrainë”, ka thënë kryediplomati francez më 7 prill përmes një postimi në “Twitter”.

Disa shtete evropiane gjatë kësaj jave kanë dëbuar diplomatë rusë, pasi janë publikuar krimet e pretenduara të forcave ruse kundër civilëve ukrainas në Buça, që gjendet në veriperëndim të Kievit.

Gazetarët kanë thënë se kanë parë trupat e dhjetëra persona, disa prej tyre me duar të lidhur pas shpine, të shtrirë në rrugët e këtij qyteti.

Forcat ruse e kishin pushtuar këtë qytet, por u tërhoqën nga ai më 1 prill.

Moska, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ka thënë se ngjarjet në Buça janë të rreme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori i famshëm, Will Smith, i habiti të gjithë gjatë…