Fredi Beleri, kandidat për eurodeputet me partinë e kryeministrit grek
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri do të kandidojë për eurodeputet me partinë “Demokracia e Re” të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, sipas gazetës greke “I Kathimerini”.
Burime për median greke bëjnë me dije se Beleri do të jetë kandidat në listën që pritet të publikohet pasditen e kësaj të hëne, 15 prill, nga partia e kryeministrit grek, raporton “Euronews.al”.
Ekathemerini shkruan se deri mëngjesin e kësaj të hëne janë caktuar 41 nga 42 kandidatët e “Demokracisë së re”, ku e vetmja çështje pezull është konfirmimi për futjen në listë të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Fredi Beleri është arrestuar në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Ai së bashku me bashkëpunëtorin e fushatës elektorale, Pandeli Kokaveshi u dënuan nga Shkalla e Parë e GjKKO-s për veprën penale të shit-blerjes së votave.
Beleri nuk ka mundur ta marrë dot detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i kanë mundësuar dhënien e lejes së posaçme për të kryer betimin.