Freedom House: Kosova dhe Shqipëria, vende pjesërisht të lira
Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të martën se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe të drejtat e migruesve, po dobësohen për të 13-tin vit më radhë.
Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, 86 syresh, apo 44 për qind, radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 apo 30 për qind janë me liri të pjesshme dhe 50 apo 26 për qind radhiten në mesin e vendeve jo të lira.
Në raport theksohet se 68 vende kanë shënuar rënie në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 50 syresh kanë shënuar ngritje.
Nga vendet e Ballkanit, vetëm Kroacia është në mesin e vendeve të lira, ndërsa Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.
Serbia ishte radhitur një vit më parë në mesin e vendeve të lira, por sipas raportit, ajo shënoi rënie për shkak të parregullsive në zgjedhje, fushatave kundër gazetarëve të pavarur dhe përqendrimit jo kushtetues të pushtetit në duart e presidentit Aleksandër Vuçiq.