“Freedom House” solli një lajm të mirë për Kosovën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se raporti i sivjetshëm i organizatës me renome Freedom House, i titulluar “Vendet në tranzicion”, solli një lajm të mirë për Kosovën, e që lehtëson sadopak zymtësinë e kësaj periudhe të pandemisë.
Sipas tij, raportet prestigjioze ndërkombëtare si ky demantojnë me fakte pretendimet populiste elektorale të atyre aktorëve politikë të Kosovës që nuk dinë të ndërtojnë e ofrojnë vizion për të ardhmen, por garojnë vetëm duke denigruar rivalët e refuzuar për arritjet e së shkuarës.
Shkrimi i Veselit:
Raporti i sivjetshëm i organizatës me renome Freedom House të titulluar “Vendet në tranzicion”, solli një lajm të mirë për Kosovën, gjë që lehtëson sadopak zymtësinë e kësaj periudhe të pandemisë. Ndërkohë që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka pësuar një përkeqësim për sa i përket demokracisë, Kosova raportohet si i vetmi vend në rajonin e që për të pestin vit radhazi ka shënuar përparim të ndjeshëm. Kosova i ka sivjet 3.18 pikë, krahasuar me 3.11 pikë që ka pasur vitin e kaluar.
Përkundër atyre nihilistëve që e kanë ndërtuar suksesin e tyre elektoral tek akuzat e rreme apo tek nxirja e realitetit të vendit tonë, Kosova ecën përpara me hapa të qëndrueshëm në drejtimin e duhur. Raporte prestigjioze ndërkombëtare si ky, demantojnë me fakte pretendimet populiste elektorale të atyre aktorëve politikë kosovarë që nuk dijnë të ndërtojnë e ofrojnë vizion për të ardhmen, por garojnë vetëm duke denigruar rivalët e refuzuar arritjet e së shkuarës.
(B. D.: ‘Epoka e re’)