Fressange dhe Isufi largohen nga Drita
Skuadra e Dritës nga Gjilani ka njoftuar të premten se futboillisti nga Franca, Alexandre Fressange nuk do të jetë më pjesë e klubit. Deri të kjo ndarje ka ardhur për faktin se Fressange nuk arriti të përshtatet me klubin.
“Kemi mbyllur bashkëpunimin edhe me francezin Alexandre Fressange. Alexi u bashkua me ekipin në verë të këtij viti por nuk arriti assesi të përshtatet me ekipin. Zgjidhja më e mirë për dy palët ishte ndërprerja e bashkëpunimit për ti hap rrugë lojtarit për sfida të reja. Klubi i uron suksese Alexit në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Drita po ashtu bëri me dije se e ka mbyllur bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme me futbollistin Dienit Isufi. Në sezonin 2021/22, Dieniti arriti të nënshkruante kontratë profesionale me klubin dhe ishte pjesë e rregullt e ekipit të parë. Gjatë kësaj periudhe Isufi ishte i huazuar dy herë, te KF Kika (gjashtë muaj) dhe KF Ramiz Sadiku (gjashtë muaj). “Klubi ynë ka mirëkuptuar Dienitin për ta liruar nga kontrata pasi i njëjti ka shprehur dëshirën për të provuar një sfidë të re ku mund të ketë më shumë hapësirë për të luajtur”, thuhet në njoftimin e klubit gjilanas.
/Epoka e re/