FRIKA NGA “AMBIENTI I MBYTUR ME IDEALIZËM”!
Shkruan: Jakup Krasniqi
Këto ditë lexova këtë “margaritar” të një “intelektuali” të ri, i cili “konstatonte”: “mes një ambienti të mbytur nga idealizmi – e i cili nuk donte as të shihte e lëre më të mirëkuptonte ambicien individuale…”. Shkëputa vetëm këtë pjesë të nënvizuar nga një shkrim i gjatë ku bëhej fjalë për një kohë ndër më të lavdishmet të 100 viteve të fundit, e me të drejtë sulmohet ambienti i sotëm politik.
Me këtë pjesë as që do të merrem, madje nuk do të merrem me asnjë pjesë tjetër të shkrimit, por vetëm me këtë ide të çoroditur të një gjysmë intelektuali të prodhuar në periudhën e krizës sonë arsimore. Pa dyshim që ambienti politik viteve të fundit ka përgjegjësi të madhe edhe për këtë nivel të dijeve intelektuale, për çka me vjen shumë keq. Por, edhe kjo është një çështje tjetër dhe e cila kërkon një angazhim serioz të shoqërisë sonë.
Sikur autori të ishte prodhim i periudhës së LKJ-së, të kishte qenë prodhim i strukturave të ndjekjes apo të mekanizmave dhunues të para viteve 1998/99, nuk do të shkruaja as edhe një fjalë, por është i moshës që, siç thotë populli, i “qesin buzët tamël” dhe i edukuar në vitet e lirisë e të pavarësisë sonë. Madje është krejt normale të merret me emrat e përveçëm të secilit njeri të angazhuar politikisht, por të merret me “ambientin e mbytur me idealizëm”, me ambientin që nëse asgjë tjetër nuk ka bërë, e kanë nxitur një luftë çlirimtare, e cila luftë është mbështetur nga bota demokratike dhe si rezultat i saj ka ndodhur një mrekulli që do ta dëshironin shumë popuj të Evropës, se për pjesët tjera të botës as nuk ia vlen të flasim. Përndryshe secili duhet të ndjehet mirë për idealet çlirimtare, që për ndonjërin edhe mund të jenë “ambiente të mbytura nga idealizmi”.
Cila është mrekullia?
Së pari, për popullin tonë që për gati një shekull ka jetuar nën robërinë serbe, çlirimi, pavarësia, sovraniteti i shtetit dhe demokracia janë më shumë se mrekulli. Mrekulli tjetër, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, a nuk janë edhe rreth 11.000 km2, të gjeografisë kombëtare të cilat i janë kthyer kombit, kuptohet pas shumë sakrificave të më shumë se tre brezave të shqiptarëve të Kosovës? Për gjeneratat e reja, nëse asgjë tjetër nuk ka ndodhur, ka ndodhur mundësia e krijuar nga “ambienti i mbytur me idealizëm”(!), është krijuar mundësia që me rrugë demokratike të mundësohet ndërrimi i pushteteve nga “intelektualët” që kanë lexuar duke belbëzuar ndonjë libër, nëse shquhen për ndonjë lexim të ndonjë libri të mirë. Por, kalemxhiu shkon edhe më tej se kaq dhe deklaron: “e i cili nuk donte as të shihte e lëre më të mirëkuptonte ambicien individuale”. Këtu njeriu normal edhe mund të pyet: për çfarë lirie individuale e ka fjalën ky farë “intelektuali”? Në cilën luftë çlirimtare apo lufte në përgjithësi mirëkuptohen liritë e ambiciet individuale kur kërcënohet substanca kombëtare, ashtu siç i ishte kërcënuar kombit tonë nga politika e gjenocidit të Beogradit, e cila politikë antishqiptare po vazhdon edhe sot? Nuk thuhet kotë: “kur vërgllojnë armët, heshtin muzat”. Natyrshëm kur heshtin armët, muzat duhet të jenë në rolin e tyre veprues.
Frika nga idealizmi e jo nga autoritarizmi?!
Nisur nga kjo logjikë tipike sllave, të gjithë brezat e idealizmës shqiptare të pas vitit 1912, na paskan qenë të “mbytur në ambiente idealiste” dhe nuk paskan respektuar “ambiciet individuale”, pse shqiptarëve ua paskan lënë amanet dhe trashëgim luftën për liri, për çlirim e bashkim kombëtar. Sipas kësaj logjike inatçore (jo e shëndetshme për moshën e re), sot duhet t’i qesim në bankën e të akuzuarve të gjithë ata shqiptarë që pas Luftës së Dytë Botërore u vranë e u zhdukën në forma të ndryshme mbi 80.000 shqiptarë, t’i dënojmë edhe një herë të gjithë ata idealistë që mbajtën mbi 600 shekuj burg në kazamatet serbe e jugosllave dhe rreth një milion qytetarëve që në forma të ndryshme u detyruan të ikin nga trojet stërgjyshore. Pra të gjithë këta t’i shpallim tradhtarë e tradhtarët t’i shpallim heronj. Se për dëme të tjera materiale që i janë shkaktuar vendit e kombit as të mos flasim. Madje kjo edhe nuk do të ishte hera e parë që ndodh nga një sortë e shqiptarëve! Prandaj jemi kaq mirë sa bota të na marrë lakmi me brezin që frikësohet nga “ambientet idealiste”! Nga ambienti që i krijoi njerëzit me integritet e dinjitet dhe siç po duket edhe integriteti dhe dinjiteti shfaqen në kohë të vështira, kur rreziku për jetën është i madh. Apo, këto virtyte zvetënohen në kohë shthurjeje e anarkie.
Çka është tepër, tepër është! Kësaj i thonë të ardhtë nga nuk e pret! Se nga politika gjenocide e Beogradit kemi pritur e përjetuar jo pak, sikundër që edhe mund të pritet gjithçka… por këto havadyzet dhe “margaritarët” e “intelektualucëve” si ky që hasa këto ditë nuk i tret mendja! Është interesant, “ambientet mbytëse të idealistëve” (ish të burgosurit politik), ishin pengesë dhe shumë të padëshirueshëm për të gjitha partitë politike të para e të pas luftës çlirimtare, bile është po ky “ambient mbytës i idealistëve” që një parti politike në Kosovë e çoi drejtë ndarjes. Një gjë e kam vërejtur shumë herë në politikë, njerëzit kanë frikë nga autoritetet idealiste dhe jo nga njerëzit autoritarë me prirje despotike?!
Frika intelektualëve të rinj nuk duhet të vije nga “ambientet e mbytura me idealizëm”, se këto ambiente janë ambiente në të cilat njerëzit janë edukuar për vetëflijim, por, frika reale duhet t’ju vije nga ambientet e mbytura të paditurisë, te mungesës se idealeve, të mafiozitetit e të paligjësive të shumta, të ambienteve nostalgjike të jugos etj. Këto ambientet e fundit po e mbysin perspektivën e njerëzve tanë.