Frika nga Trumpi, Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet nënshkruar sa më shpejtë që të jetë e mundur
Kryeministri i Kosovës, në intervistën me mediumin britanik “Bloomberg”, ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që të nënshkruhet marrëveshja me Serbinë sa më shpejtë që të jetë e mundur kur i është përmendur se Donald Trumpi mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor, përcjell gazeta online Reporteri.
Moderatorja e emisionit ia ka bërë me dije se Trumpi gjatë mandatit të tij të parë, ka qenë më përkrahës i Serbisë sesa i Kosovës. Trumpi pritet të jetë kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet e nëntorit dhe mund të ketë përballje të dytë me presidentin demokrat, Joe Biden.
“Mendoj se është e rëndësishme që të nënshkruhet marrëveshja sa më shpejtë që të jetë e mundur, por përsëri, nuk mund ta detyrojmë Serbinë ta nënshkruajë marrëveshjen”, ka thënë Kurti në këtë intervistë. Ai ka insistuar se Serbia për nënshkrimin e marrëveshjes, mund të detyrohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Janë BE-ja dhe SHBA-ja ato që mund ta bëjnë këtë [presionin]. Ndërkohë, Serbia është duke marrë armatim dhe si shtesë dëshiron tolerancën e SHBA-së dhe paratë nga BE-ja”, ka shtuar kryeministri i Kosovës.
Kurti është pyetur edhe se si e vlerëson marrëdhënien aktuale me Serbinë dhe ka përsëritur se vetëm me presion Beogradi mund të nënshkruajë marrëveshjen.
“E kemi parë vitin e kaluar se Beogradi u pajtua me tekstin e marrëveshjeve shkaku i presionit. Pra, presioni funksionon, por duhet të bëhet nga Brukseli dhe Washingtoni”, ka thënë ai.
Kurti gjatë kësaj interviste ka folur edhe për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit. Ai ka thënë se qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, të cilën e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj, të hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Ai ka shtuar se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.
Të dielën, Kurti përmes një video në serbisht ka njoftuar se e ka nisur “fushatën” e tij informuese për dinarin, për serbët e Kosovës, duke folur në gjuhën serbe, ashtu siç tha se do të bëjë edhe kur foli të shtunën në KS të OKB-së në New York.
Kurti tha se Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funten dhe as frangun zviceran.
“I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, ka thënë Kurti.