Frikë nga ardhja e majtistëve, milionerët gjermanë i çojnë asetet në Zvicër

24 shtator 2021 | 11:48

Një kthim i mundshëm nga e majta në zgjedhjet e së dielës në Gjermani po i frikëson milionerët e këtij shteti, të cilët po i çojnë asetet e tyre në Zvicër, kanë thënë avokatët për taksa dhe zyrtarët e bankave.

Nëse në pushtet vijnë qendra e majtë e socialdemokratëve, SPD, e majta ekstreme, Linke, dhe Të Gjelbrit, kthimi në fuqi i një takse të pasurisë dhe ashpërsimi i taksës për trashëgiminë mund të jenë në agjendën politike, shkruan “Reuters”.

“Për super të pasurit, kjo është dritë e kuqe. Familjet ndërmarrëse janë shumë të alarmuara”, ka thënë një avokat gjerman për taksa që kryen punë edhe në Zvicër.

Veprimi i milionerëve gjermanë tregon se si të pasurit ende e shohin Zvicrën si vend tërheqës për ta vendosur pasurinë, pavarësisht përpjekjeve të saj për ta shkatërruar imazhin si strehë e miliarderëve.

Asnjë shtet nuk ka më shumë asete të huaja se Zvicra dhe ky tren është rritur edhe më shumë vitin e kaluar. Nga këto asete kanë përfituar bankat e mëdha si “UBS”, “Credit Suisse” dhe “Julius Baer”. Tensionet gjeopolitike dhe frika nga rënia ekonomike në pandemi e bënë tërheqës stabilitetin politik të Zvicrës.

Sipas të dhënave, depozitat e gjermanëve në bankat e Zvicrës janë rritur për gati pesë miliardë dollarë vetëm në çerekun e parë të këtij viti, duke shkuar në 37.5 miliardë dollarë. Në këtë shifër nuk përfshihen aksionet dhe produktet financiare.

“Shumë njerëz të pasur, sidomos ndërmarrës, kanë frikë se do të ketë kthim nga e majta në Gjermani – pavarësisht si dalin zgjedhjet”, ka thënë Florian Durselen, menaxher i pasurisë në bankën “LGT Switzerland”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Përfaqësues së Kosovës, Bernard Berisha e ka operuar…