Froome nuk pranon fajin
Chris Froome këmbëngul në qëndrimin e tij se është i pafajshëm përsa i përket pozitivitetit të tij me substancën salbutamol gjatë Xhiros së Spanjës në 2017.
Çiklisti britanik i Team Sky nuk ka pranuar në asnjë mënyrë të bëjë një pakt për një dënim 6-mujor, duke përgënjeshtruar lajmin e publikuar në “Corriere della Sera”.
Sipas të përditshmes italiane, Froome vendosi të ndjekë të njëjtën strategji si Diego Ulissi në vitin 2014, dënimi i të cilit u reduktua nga 2 vjet në vetëm 9 muaj. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Froome ndoqi këshillën e bashkëshortes e njëkohësisht menaxheres së tij, Michelle, për të pranuar neglizhencën e tij, për të evituar një proces të gjatë që mund të shoqërohet edhe me një dënim afatgjatë.
“Corriere della Sera” thekson se nëse Froome e bën këtë pakt, do të humbasë titullin e fituar në Xhiron e Spanjës si dhe medaljen e bronztë të fituar në garën kronometër individual të Botërorit të Çiklizmit, ndërkohë që dënimi i tij do të jetë vetëm 5-6 muaj, që do të thotë se ai do të mund të shpëtojë sezonin e tij.
“E lexova artikullin në “Corriere della Sera”. Asgjë nuk është e vërtetë”, shkruan Chris Froome në profilin e tij në Twitter, duke e hedhur poshtë në mënyrë kategorike atë që është publikuar në medien italiane. (Top Channel)