Fryrja e faturave të rrymës, KMDLNj: Prokuroria e Shtetit do të duhej të fillojë hetimet
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se fryrja e faturave të energjisë elektrike edhe këtë fundvit është kryelajmi i fundvitit.
“Edhe më kryelajm se vet ndarja e dhuratave nga kryeministri i Kosovës. Për fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, të cilët që nga paslufta janë diskriminuar nga të gjitha qeveritë, e po vazhdon edhe më tutje, sikur nuk po mjafton kjo ata po vazhdojnë edhe të plaçkiten përmes fryrjes së faturave në kohë festash, në kohën e një ekonomie gati të rrënuar dhe në prag të liberalizimit të vizave”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
ZRrE-ja ka deklaruar se nuk ka pranuar numër të lartë të ankesave, kurse po të hyjsh në rrjetet sociale dhe në portale, dëshmohet totalisht e kundërta.
KMDLNj mendon se qytetarët e Kosovës e kanë humbur (nëse ndonjëherë e kanë pasur) besimin në ZRrE që mund të mbajë anën e drejtë të qytetarëve të Kosovës.
“Deri më tani, për vite me radhë qytetarët shqiptarë të cilët janë detyruar që të paguajnë në kohë gjithë faturën e energjisë elektrike, përfshirë këtu edhe plaçkitjet që u janë bërë, e që për këtë ka dhe në vendim të Gjykatës Kushtetuese, se janë vjedhur qytetarët përmes fryrjes së faturave, ZRrE si autoritet rregullativ asnjëherë nuk ka treguar vullnet që të jetësojë me korrektësi detyrat e saj që e obligon edhe ligji. Jo që ende nuk kanë gjetur mënyrën e duhur t’ua kthej mjetet qytetarëve për plaçkitjet e mëparshme por po vazhdon të njëjtën rrugë”, thuhet në këtë reagim të KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, Prokuroria e Shtetit do të duhej që sipas detyrës zyrtare të fillojë hetimet sa i përket ankesave të qytetarëve për fryrje të faturave të energjisë elektrike dhe të marrë për bazë edhe ankesat e shprehura edhe në rrjetet sociale.
“KMDLNj u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrenë zërin për shkeljen e të drejtave të tyre duke shfrytëzuar të gjitha mjetet demokratike. KMDLNj gjithashtu u kërkon që në mënyrë individuale të gjithë qytetarët të bëjnë padi kundrejt KEDS, KESCO dhe ZRrE për shkelje të të drejtave të tyre për fryrje të faturave të energjisë elektrike, për moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthim të mjeteve të plaçkitura dhe në të njëjtën kohë të paguajnë vetëm faturat e muajit të kaluar derisa të zbardhet e vërteta për fryrjet e këtij muaji. KMDLNj i rekomandon qytetarët e Kosovës që faturat t’i paguajnë vetëm në shumën e muajit paraprak. KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme dhe të këmbëngulin për hetime për këto fatura të jashtëzakonshme. KMDLNj kërkon dorëheqje të bordit të ZRrE dhe hetime për drejtuesin e Bordit. KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës që të organizohen dhe të protestojnë pa ndërprerë para zyrave të ZRrE, Kuvendit të Kosovës dhe KEDS-it”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.