Fshati Akllap ka pasur 104 shtëpi, sot është gati i boshatisur
Fshati Akllap është vendi më i thellë malor i Komunës së Lipjanit. Po të hyjë njeriu për herë të parë në këtë fshat, do të jetë i fascinuar me mrekullitë që ka ditur t’i krijojë vetëm Zoti. Aty shihet një peizazh që vështirë mund ta kenë fshatrat e tjerë.
Një pjesë e Akllapit, nga malet e Zhegocit dhe të Janjevës, është e rrethuar me drurë të bukur, ndërsa të dyja anët e tjera janë me kullosa, që magjepsin me pamjen e tyre. Por, gjithë këtyre bukurive të rralla të natyrës, një numër jo i vogël i familjeve nuk ia ditën vlerën, pasi u shpërngulën nga fshati, e mendonin se diku në Lipjan do t’i presë “mrekullia”. Disa i shitën si mundën pronat, ndërkaq të tjerët i lanë shtëpitë e boshatisura dhe arat djerrina, raporton “Epoka e re”.
Akllapi është 17 kilometra nga qendra komunale e Lipjanit.
Fshati Akllap gjatë luftës qe djegur thuaja tërësisht nga barbaria serbe, po ashtu patë edhe të vrarë e të plagosur. Fshati Akllap ka kushte ideale për të ushtruar shumë veprimtari bujqësore, në rend të parë është blegtoria. Përderisa para luftës kishte familje që kishte 200 deri 300 dele, apo më mirë të themi i gjithë fshati i kishte mbi 2 000 dele, për çka edhe mori nofkën ‘fshat i dhenve’, sot as njëzet dele nuk mund t’i gjesh në gjithë fshatin.
Më parë Akllapi ka pasur 104 shtëpi, ky numër sot është përgjysmuar, edhe pse fshati ka rrugën e asfaltuar, shkollën fillore, dyqanin, ujë që të pikë në ballë nga të ftohtit, i cili vjen nga burimet e kodrave malore. Këtu toka punohet nga banorët që mbetën pa e lëshuar fshatin, ndërsa bujqit zakonisht kultivojnë kulturat bujqësore, si grurë dhe misër, mirëpo nuk mungojnë as kulturat e tjera, si patatet, lakrat, fasuljaetj. Me një fjalë, të gjitha kulturat kopshtare. Po ashtu, fshati Akllap njihet edhe për kultivimin e pemëve.
Fshati Akllap ka një histori të begatë kulturore e kombëtare, sepse këtu lindën e u rritën atdhetarë të shumtë, siç ishte Rexhep Akllapi, Jetish Akllapi.Ndërkaq, gjatë kohës sa gjendej Kosova nën okupimin serb, në Akllap kanë gjetur vend për të zhvilluar veprimtari politike e kombëtare shumë figura të njohura kombëtare. Jo vetëm kaq. Akllapi ka edhe një histori tjetër të veçantë, sepse këtu gjendet një kishë eremite që mendohet se më parë ishte hyrje e minierës, por që u adaptua më vonë si kishë. Hyrjet e tilla të çojnë deri në fshatin Vukoçincë dhe në Janjevën e lashtë. Këta pak banorë, që ende kanë mbetur në Akllap, u shprehën se një ditë jo të largët, pra nisur nga braktisja e fshatit që është duke ndodhur, ky fshat do të mbetet në kujtesën e njerëzve, se ishte një herë këtu një Akllap.
(Ismail REXHEPI /Epoka e re)