Ka një popullsi prej vetëm 2400 banorësh, por fshati Vevçan është përpjekur të shpallë pavarësinë nga dy vende të ndryshme, gjatë këtyre pesë dekadave të fundit. Çdo 8 shtator që prej vitit 1991, Maqedonia e Veriut kremton Ditën e Pavarësisë, ditë kur u shkëput nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Por, Vevçani nuk i bashkohet asnjëherë këtyre festimeve. “Ne nuk e festojmë pavarësinë në atë datë. Vevçani ka pavarësinë e vet”, thonë banorët vendas.
Në vitin 1987, fshati kërcënoi fillimisht se do të shkëputej nga Jugosllavia. Më pas, në ‘91, u vetëshpall një republikë e pavarur vetëm 11 ditë pasi ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë kishte shpallur pavarësinë, si rrjedhojë e shpërbërjes së Jugosllavisë. Ndërsa në vitin 2002, fryma liridashëse e Vevçanit u ringjall nga vendasit të cilët bënë një përpjekje të pazakontë duke krijuar një flamur tyrin “kombëtar”, lëshuan pasaporta dhe shtypën monedha, që sigurisht nuk ishin zyrtare.
Edhe pse ndodhet vetëm 20 minuta larg nga Struga, terreni i izoluar dhe i padepërtueshëm i maleve të Jabllanicës ka bërë që banorët e Vevçanit, ndër shekuj të kërkojnë autonominë e tyre. Përpara se të ishte nën juridiksionin e Jugosllavisë komuniste dhe tani Maqedonisë së Veriut, Vevçani ka qenë pjesë e perandorisë romake, bizantine dhe osmane. Por sipas banorëve, nuk u pushtua kurrë me të vërtetë.
“Gjatë epokës osmane, ne mbajtëm kulturën dhe fenë tonë ortodokse, edhe pse të gjitha fshatrat përreth u konvertuan në myslimanë. Gjatë kohës komuniste, qeveria u përpoq të ndalonte traditat tona. Nuk i lejonin dasmat apo pagëzimet, por nënat dhe gjyshet tona i bënin këto gjëra në fshehtësi. Çdo janar, edhe në kohën diktatoriale, ne kemi organizuar karnavale, një festë 1400-vjeçare. Sot, kjo tërheq vizitorë nga i gjithë Ballkani. Gjithashtu, fshati ynë ka ruajtur një dialekt unik sllav që nuk gjendet askund tjetër në vend.”
Aleksandra Velkoska, banore vendase
Vevçani është njohur gjithmonë si fshati rebel, që me anë të protestave dhe kryengritjeve kundërshtonte shpeshherë veprimet e Jugosllavisë komuniste. Edhe në ‘91, bëri përpjekje të pareshtura për shkëputje nga shteti i ri i Maqedonisë së Veriut, por e vetmja gjë që iu pranua ishte ndarja nga komuna e Strugës dhe formimi i komunës së tyre autonome, që ekziston edhe sot.