Fshati i portave, historia shekullore e arbëreshëve në Kalabri

03 shtator 2023 | 09:22

Në qytezën San Benedetto Ulliano historia shekullore e arbëreshëve rrëfehet në çdo portë shtëpie.

Kjo zonë në Kalabri, me mbi 1400 banorë e që në gjuhën shqipe quhet Shën Benedikti, ka shëndërruar në një vepër arti, historinë shekullore të shqiptarëve të Italisë.

Njihet si Muzeu i Portave rrëfyese.

I hapur, në natyrë, pa mure e dritare veç porta shumë ngjyrëshe që mbajnë mbi trup historinë e një populli.

I ndërtuar në pjesën më antike të Shën Benediktit, Muzeu përfshin me dhjetra pallate e shtëpi, mbi portat e të cilave artistë të ndryshëm kanë krijuar veprat e tyre.

Çdo portë rrëfen një ngjarje, një betejë, një traditë.

Pikturat mbi to evokojnë, legjenda, objekte, personazhe e zakone të kulturës arbëreshe, rrugëtimin e kësaj qyteze shrirë në  kodrat e San Elia e në një lartësi 400 metra mbi detin.

Nga të gjitha qytezat arbëreshe të Kalabrisë Shën Benedikti është ai më pranë qytetit të Kozencës e dikur një nga qëndra kryesore të komunitetit të shqiptarëve të Kalabrisë.

Rëndësia e tij, bëri që më 1732 të ngrihej në të Kolegji italo-shqiptar i formimit të klerikëve të ritit greko-bizantin, që më 1869 u transferua në Shën Mitri.

Rrugica, kthina, harqe janë dekori urban i këtij katundi që linjëzojnë gjitoninë nga një lagje në tjetrën. Kisha qëndrore është ajo e Zojës së Këshillit të Mirë, ndërtuar më 1700-ën, të cilës i është dedikuar dhe një nga festat kryesore të qytezës, që mbahet në të dielën e  parë të muajit maj e që evokon eksodin e madh të shqiptarëve drejt Kalabrisë.

E shënjtores së Këshillit të Mirë i është kushtuar dhe një nga portat e qëndrës së Shën Benediktit, pranë së cilës qëndron dhe portreti i Gjergj Kastriot Skëndërbeu.

Në një nga banesat më të mëdha gjen të pikturuar historinë e Teodor Muzakës që thuhet se ka qënë shqitpari i parë që ka mbërritur në San Benedetto Ullano më 1446 e që e vërteton dhe një dokument i 22 gusht 1523 firmosur nga ai si kapiten e guvernator i kësaj qyteze.

Mbi portën pranë kroit të fshatit rrëfehet Historia e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu që mbi një peisazh që lë pas malet, kthehet në atdhe për të bashkuar shqiptarët.

Autori i saj është artistit Francesko Senise që me ngjyra të forta e plot jetë sjell për vizituesit bukurinë e natyrës shqiptare.

Në një tjetër portë gjen legjendën e Doruntinës. Realizuar nga artisti kalabrez Saverio Santadrea që përmes blusë së thellë të misterit, shfaq si një shpërthim drite, mbërritjen në shtëpi të  Doruntinës, apo Jurendinën siç e njeh legjenda arbëreshe.

E në një rrugicë më pas legjendën e Konstandinit.

Histori shënjëtorësh e bamirësish arbëreshë, që gjen të pikturuar mbi këto porta, tregojnë lidhjen e fortë me besimin fetar që banorët kishin e kanë ende sot.

Në një nga kthinat e rrugicave të ngushta shfaqet puntura e Romanos, kleriku artist të manastirit të  Shën Benediktit i shquar në artin e kaligrafisë rreth viteve 1289-1292 e punimet e tij ruhen në Muzeun e Vatikanit.

San Benedetto Ullano hyn në histori që nga koha romake falë origjinës së toponimit tokësor Ullano, i njohur nga mbaresa -ano, e cila lejon që emri i pronarit të lashtë të qytetit të identifikohet me atë të një familjeje fisnike romake, përfituesi i fondeve në këto fusha.

Prandaj, etimologjia e Ullano-s rrjedh nga antroponimi Ollius ose Ullius që është emri i një personi, nga i cili Ollianum dhe rrjedhimisht Ullanum, që do të thotë tokë bujqësore që i përket Ollius (Ullius). Në Ullano-n e lashtë, u gjet një varr mermeri i dekoruar dhe i gdhendur në mënyrë elegante  që i përket kohës së Marcus Aurelius, gjysma e dytë e shekullit II, p.e.s (161-180).

Me duar të kryqëzuara si një lutje shfaqet Kontesha Rocca, Zonja e Kështjellës së San Benedetto Ullano.

Qe e bija e Dragone D’Altavilla që u bë Konteshë në moshën 8 vjecare pas vrasjes së babait.

Muzeu i Portave Rrëfyese është një eksperiencë unike për cdo vizitor që mbërrin në kët qytezë arbëreshe por dhe projekt largpamës për të vlerësuar kulturën e historinë e identitetit të banorëve të saj e një input pozitiv për zhvillim e turizmit.

Në Shën Benedikt, portat bëhen zërat e një të kaluare shekullore e pesha e një të tashme të rëndësishme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rast i rëndë ka ndodhur të shtunën në rrugën…