Fshati Isniq sipas këngës “Azllan Pasha n’gjok të bardhë”

06 gusht 2020 | 12:11

Arif Molliqi

 (Në një variantë tjetër: “Bajraktart ja kan gri të tanë”[1]

Lufta mbinjerëzore e popullit shqiptar nëpër shekuj që ta çoi Shqipërinë  deri të pavarësia ishte e gjatë, e vështirë, e mundimshme dhe e shfaqur në forma të ndryshme. Edhe pse gjatë këtij formimi, shqiptarët nëpër shekuj luftuan për mëvetësi, por më shumë kanë qenë në luftë për të mbijetuar nga sundimi i pushtuesve osmanë e, sidomos nga yryshit sllave që lakmonin gjithmonë në tokat shqiptare.

Në këto kushte të rënda, gjendje lufte dhe mbijetese, ishte krijimtaria shpirtërore, ishte kënga folklorike dhe popullore që e pasqyroj kohën, që luajti rolin e historisë. Folklori zuri rrënjë në opusin epiko-historik duke e pasurua trashëgimin kulturor të popullit. Me përmbajtjen e formën e saj artistike, me gjinitë e llojet e tyre, me figurat e ritmet e këngëve u dëshmua lufta dhe mbijetesa e popullit.  Pra, historia e formimit të këtyre vlerave ishte historia e vetë popullit në luftën për ti mbrojtur tokat e veta, për ta mbrojtur ekzistencën e vet karshi sulmeve dhe plaçkitjeve që i bëheshin nga sunduesit dhe fqinjët grabitqar. Andaj, e gjithë krijimtaria artistike popullore e folklorike shqiptare nuk ishte dekor i jashtëm, nuk ishte një stoli formale, por një shpërthim, një kryengritje e brendshme, një shprehje e botës shpirtërore për pavarësi, një ecje drejt zhvillimit të tyre historik, drejt thellësisë së mendimeve, e ëndrrave dhe e aspiratave për një shtet-formim që do t´ju del zot këtyre dëshirave.

Dhe, krahas luftës se vazhdueshëm për liri, populli e konsolidoj identitetin e vet, individualitetin e vet përmes krijimeve të veta qofshin ato të legjendave, baladave, të këngëve kreshnike, epike, lirike.

Ne këto perplasje edhe lindi kënga; “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, me një  autor të panjohur. Këtë këngë e kemi gjetur edhe në dy variante të tjera, që pak a shumë ndryshojnë vetëm nga titulli i këngës kurse përmbajtja është e njëjtë. Në “Epikë Historike Kosovare”- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1985, faqe 227, e gjejmë në variantin;  “Bajraktart ja kan´ gri të tanë”, të kënduar në vitin 1958 në Rrashbull të Durrësit nga rapsodi i njohur Dervish Shaqa, Llukë e Epërm. Të njëjtën këngë e kemi gjetur të kënduar nga këngëtar edhe në variantin; “Asllan Pasha mbledh verginë”.

Ngjarja e kësaj kënge zhvillohet në fshatin Isniq të Deçanit. Azllan Pasha, sundimtar i lartë turk nga Peja, i shoqëruar me pesë bajraktarë, shkon në Isniq për të mbledhur verginë-taksen:

“Azllan Pasha n´gjog të Bardhë,

na i ka mbledh´ pes´ bajraktarë

shkoi n´Isniq vergin´ me marrë.”

Vetëkuptohet se për isniqasit nuk ishte vetëm taksa ajo që i detyronte t´i kundërviheshin pashait, t´ja kthenin pushkën. Ata tashmë ishin mësuar duke u mbrojtur me armë në dorë nga plaçkitjet, nga sulmet që shpesh u vinin nga sundimtarët, sado që ata në fshat ktheheshin më kërkesa plot lajka e, që, në brendësi të atyre fjalëve përkëdhelëse fshihej dinakëria e pushtuesit i cili dinte të nxirrte kokë me veprime ndëshkuese. Duke i ditur këto metoda, Isniqi gjithmonë qëndronte i përgatitur që në raste të nevojshme t´u kundërviheshin pushtuesve më armë. Ishte kjo koha kur taksa mblidhte qeveria turke dhe ato ishin të rënda dhe të papërballueshme. Taksa paguhej për shtëpi, paguhej për tokë, taksa paguhej për bagëti, për djerrina, për kullota, për mal…

Mirëpo, procesi mbledhjes së taksave në Isniq për Azllan Pashën përfundoj me konflikt. Isniqi jo vetëm mbledhjen e taksave por edhe mbrojtjen e tokave shqiptare e priti me rezistencë të organizuar ngase, kur Azllan Pasha erdhi në Isniq për të vjel taksa, ai s´ishte përgatitur vetëm më “pesë´” bajraktar, por kishte marrë me vete edhe ushtar sepse kishte informacione se isniqasit nuk i nënshtron e as nuk japin aq lehtë vergi´ -taksa tagrambledhësve. Aq më tepër kur një pashai me ushtri merrte rolin e tagrambledhësit duke menduar se vet prezenca e tij me bajraktar dhe ushtar do ti frikësonte burrat e fshatit Isniq.  Por, kësaj radhe, Isniqi organizon një pritje të merituar për pushtuesin.

“N´fun t´Isniqit kur asht dalë,

kur jan´ dal´ në fund t´Isniqit,

kan´  kris´ pushk´ për skej t´zidit.

Bajraktarve mir´iau ngjiti

jan´dhez´ tjerat prej çardaki

bajraktart i ka mlu gjaki,

i ka mlu gjaki, i kan´ gri të tanë

Asllan Pashën rop pe e nxanë…

S´e kan´ lan´ kurrgjë pa i thanë.”

Mirëpo, edhe pse Isniqi e kanë nxënë Azllan Pashën, ndera, trimëria dhe burrëria e isniqasve tregohet në një variant shumë figurative dhe dramatike. Aty jepet figura e një luftëtari që sado në një situatë dramatike dhe shpërthyese ai din ta ruaj nderin e djalërisë dhe luftëtarëve që edhe n´raste se e mund armikun duhet sjellë brenda normave të moralit njerëzor.

Ky është virtyt vetëm e popujve të mëdhenj, luftëtarëve trima.

Ja si portretizohet kjo figurë epike përmes luftëtarit Tahir Dervishit. Me pak fjalë kënga jep edhe lartësinë e luftëtarit, jap edhe trimin, jap edhe ndershmërinë, sepse, sado që gjuha e luftëtarit Tahir Dervishi ka urrejtjen për armikun, për pashën i cili ia kërkon vergi-taksen për tokën dhe pasurinë e tij, ai ngase e di se trimi nuk i bie për s´ratë kundërshtarit, i thotë, se i vjen keq prej veti:

“Kur jan´ dal´, tha, tu Rodishi[2]

t´ madhe briti Tahir Dërvishi

Azlla Pashs për gjyks ja ngjiti,

Pshtymë e jargë në ftyrë ja çiti

Pshtymë e jargë në ftyrë ja pshteti

Mos me m’ardhë Pashë keq prej veti

Tana trutë celinë t’i treti…”

Pashai duke e pa veten shumë ngushtë, ai tani mundohet që përmes dinakërisë, përmes lojës së pakryer, tamam në stilin e një sundimtari të regjur dhe që njeh traditën shqiptare të lidhur për besën, kërkon ndihmë. Këtu na del si element metafora e gjerë që ka brenda himnin antik të shqiptarëve; besën dhe fjalën e dhënë. Në ketë metaforë, brenda lojës se pakryer të Pashait, na del një portret tjetër. Nuk është më ai pashai që drejton situatën. S´është më ai pashai që kur erdhi ndiente krenari dhe një forcë të pa thyeshme. Para rezistencës, heroizmit dhe urrejtjes së Isniqit ai ndjehet i pafuqishëm, ndjehet i mundur dhe i turpërua nga luftëtaret isniqas dhe, i kthehet mënyrës politike, lojës metaforike të besës shqiptare, duke u mundua të justifikoj arsyen e ardhjes se tij. Ai provon ti mashtroj isniqasit me dinakëri se gjeja, në Isniqi erdhi si mik i tyre për një vizitë miqësore e dashamirëse:

“Azlla´ Pasha n´gjog të bardhë:

-Nore t´juve, more Shalë,

se s’jam dal´ vergi  me marrë

po për zijafet n´ket an´ jam dalë…”

Pjesë e dytë e këngës “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, është nje  grotesk dhe një antitezë e pjesës se parë. Tani Pashai sikur vihet para një turpërimi që i shkaktojnë burrat e Isniqit. Si duket Pashai i ka prekur isniqasit aty ku janë të ndjeshëm me fjalët; “Nore t´juve mori Shalë” duke i lutur në emër të fisit, besës, nderës. Isniqi e lirojnë Pashain. Dhe, Pashai, i trishtuar, i hutuar, i frikësuar dhe i tmerruar nga qëndresa e Isniqit nuk di çka bën, nuk din si të vepron saqë edhe rrugën nuk mundet ta gjej. Një rrugë prej një kilometrash mezi e kalon për “shtatë sahat”. Prandaj, tek këto vargje qëndron poetika groteske dhe ironia më e fuqishme e  kenges dhe e krijuesit folklorik kur thotë:

“Azlla´ Pasha, Azlla´ gusha,

Shtat´sahat iu dokti Lbusha…”[3]

Gjithsesi figura e pashai të dështua tregohet kur Azllan Pasha kthehet në Pejë. Ai në vend që të ecë më krenari nëpër qytet, ngase ka mbledh vergi-taksen duke e shtruar fshatit Isniq, ai i turpërua nuk dëshiron të flas. Ndoshta këtu për herë të parë pashai flet sinqerisht, kur ju tregon krejt atë çka i ka ndodhur në Isniq.Kur shehërlitë e pyesin si kalove në Isniq ngase ai kishte dhënë fjalë të mëdha. Azllan pasha përgjigjet i turperuar.

“Sot nuk muj selam m’u dhanë

Kesh´ n’Isniq edhe rob jam nxanë

s’e kan´ lan´ kurgja pa m’thanë

bajraktart m’i kan´ gri të tanë…”

Këngët “Azllan Pasha n´gjog të bardhë” është dramë e vërtetë. Ndonëse aty pasqyrohet një ngjarje lokale, përmes vargut poetik, përmes fjalës së artit këngëtari ka arrite ta sintetizojë për bukuri situatën e kohës, gjendjen kryengritës dhe rezistencën e fshatit Isniq në veçanti dhe te popullit shqiptar në përgjithësi.

Pra, nga kënga “Azllan Pash n´gjok të bardhë”,  shihet se Isniqi ishte një fshat që kishte shpirtin luftarak, atdhedashës, që në çdo kohë u kacafyt edhe me armikun shumë më të madh se ai vet.

[1] Epikë Historike kosovare,  AKADEMIA E SHKENCAVE E RPS TË SHQIPËRISË-INSTITUTI I KULTURËS POPULLORE,Tiranë, 1985

[2] Vend takim mes Isniqit dhe Prapaqanit.

[3] Fshati Lëbush thuaja prej Isniqi nuk e ka as një kilometër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka…