Fshati Ruhot i Pejës që katër ditë ka mbetur pa energji elektrike
Banorët e fshatit Ruhot të Pejës kanë mbetur pa energji elektrike që katër ditë, si pasojë e erërave që ndodhën ditët e fundit në komunën e Istogut dhe me rrethinë, ku për pasojë janë rrëzuar disa shtylla elektrike.
Banorët e këtij fshati nuk kanë marrë asnjë përgjigje të prerë nga KEDS-i se kur do t’u lëshohet energjia elektrike.
Disa nga banorët e këtij fshati kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se të vetmen gjë që dinë është se janë duke u riparuar disa shtylla elektrike.
“Që katër ditë jemi pa energji elektrike. Nuk e dimë se çfarë po ndodh, veç po thonë janë duke riparuar. Kjo është e patolerueshme me mbet një fshat pa energji elektrike”, ka thënë një banor i këtij fshati.
KEDS-i një ditë më parë ka theksuar se si pasojë e erërave të forta janë dëmtuar përçues elektrikë dhe shtylla elektrike, por që ekipet janë duke punuar në terren.
Gazeta ka mësuar nga burime brenda KEDS-it se banorëve të fshatit Ruhot do t’u kthehet energjia elektrike të martën.