Fshati zvicran, i pasigurt nga rrëshqitja e dheut
Fshati Schwanden (GL) është në alarm, pasi një rrëshqitje dheu ka shkatërruar një pjesë të fshatit dhe mali rrezikon të shembet sërish.
Banorët janë evakuuar, por duhet të jetojnë mes dëshpërimit dhe pasigurisë së një rikthimi të mundshëm, raporton RTS, përcjell albinfo.ch.
“Nëse jam plotësisht i sinqertë, gjërat me të vërtetë nuk po shkojnë shumë mirë. Ka dy deri në tre metra baltë në ndërtesë. Niveli i baltës brenda është i njëjtë me jashtë. Ne shkuam për të parë dje. Por gjithçka u shkatërrua”, ka thënë Jürg Hösli, biznesi i të cilit, si teneqexhi është shkatërruar nga rrëshqitja e dheut.
Pas rasteve të ngjashme në Graubünden në Bondo në 2017 dhe Brienz këtë verë, Schwanden dhe kantoni Glarus u goditën rëndë nga një rrëshqitje dheu.
Më 29 gusht mali lëshoi 30,000 metra kub tokë, gurë dhe pemë në fshat. Në total, gjashtë shtëpi u rrënuan dhe rreth 40 ndërtesa u dëmtuan rëndë.
Sipas njoftimit nga autoritetet, nuk ka pasur viktima, sepse banorët u paralajmëruan mjaft herët për fatkeqësinë e afërt.