Fshatra të izoluar dhe rrugë të bllokuara në veri nga reshjet
Në të gjithë Shqipërinë, për shkak të reshjeve të shiut dhe borës së orëve të fundit, disa akse rrugore vijojnë të jenë të bllokuara apo të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa janë raportuar probleme në furnizimin me energji elektrike.
Në një pasqyrë të situatës në qarqet kryesore, Ministria e Mbrojtjes, ka bërë me dije se qarku më problematik mbetet ai i Kukësit, ku nga reshjet e vazhdueshme të borës kanë mbetur të izoluar 12 fshatra të Bashkisë Kukës dhe 8 të Bashkisë Tropojë.
Në Qarkun e Shkodrës kanë mbetur të bllokuara akset Bogë-Theth, Mali Shoshit-Bregu i Lumit, Muri i Turkut-Shllak, Fushë Arrëz- Iballë, ndërsa ka patur probleme edhe në furnizimin me energji elektrike.
Kurse në Qarkun e Dibrës kanë mbetur i bllokuar nga bora vetëm fshati Xibër në Bashkinë Klos.
Po ashtu në Lezhë, disa akse rrugore kanë mbetur të bllokuara, ndërsa janë shënuar edhe dëme në infrastrukturë, ku ura që lidh fshatin Mabe me Barbullushin është shembur.
Probleme në infrastrukturë janë shënuar edhe në Qarkun e Elbasanit, në fshatin Cerrujë, ku ka pasur rrëshqitje masive toke që rrezikojnë disa banesa. Ndërsa nga dëbora vijojnë te jenë të izoluara rreth 500 familje.
Në Korçë, të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme. (TCh)