FSHF-ja mohon lajmin se tre futbollistë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19
Federata e Futbollit të Shqipërisë (FSHF) ka mohuar lajmin se tre futbollistë të Kombëtares së Shqipërisë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Në disa mediume në Shqipëri është raportuar se Ardian Ismajli, Ylber Ramadani dhe Hysen Memolla kanë dalë pozitivë me Covid-19.
Por, në demantin e vet FSHF-ja ka postuar rezultatet e testeve vetëm të Ramadanit dhe Memollës, por jo edhe të mbrojtësit kosovar të Hajdukut të Splitit, Ismajli.
“Federata Shqiptare e Futbollit përgënjeshtron lajmin e rremë të shpërndarë nga tre media se tre futbollistë të Kombëtares shqiptare kane rezultuar pozitiv në testin e COVID. Ky lajm është i pavërtetë dhe tendencioz. Asnjë lojtar i kombëtares, pjesëtar i stafit apo anëtar i delegacionit nuk ka rezultuar pozitiv. Bashkëngjitur edhe testet e futbollistëve të përmendur. I bëjmë thirrje madias të distancohen nga këto lajme të pavërteta dhe nga kjo praktikë aspak profesionale”, është thënë në demantin e FSHF-së.
Të tre futbollistët në fjalë më herët është njoftuar nga FSHF-ja se nuk do të udhëtojnë në Bjellorusi për ndeshjen e të premtes në kuadër të Ligës së Kombeve. Për Memollën e Ismajlin ka raportuar se janë grumbulluar të lënduar dhe nuk kanë mundur të rikuperohen. E për Ramadanin është thënë se ka marrë një lëndim në stërvitje.