FShF-ja zbulon emrat e trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave
Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur për emrat e trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave. Zyra e Shtypit në FShF bën me dije se Alban Bushi konfirmohet në këtë post dhe do të jetë sërish trajner i ekipit kombëtar U-21. Ndërsa ekipin kombëtar U-20 do ta drejtojë tashmë trajneri i ri Ilias Haxhiraj.
Trajneri i ri i ekipit kombëtar U-19 është Armando Cungu, kurse ekipin e moshës U-18 do ta drejtojë Ardi Behari. Risia tjetër është emërimi i Ervin Bulkut si trajner i kombëtares U-17. Ish-futbollisti i njohur ka qenë së fundmi edhe pjesë e stafit teknik të Kombëtares A dhe një nga ndihmësit e Edy Rejas. Gjithashtu, risi ka edhe për stolin e ekipit të moshës U-16 që do të ketë si trajner Agron Kërçovën.
Një tjetër konfirmim është ai i Armand Damës, i cili do të vazhdojë jetë trajner i Kombëtares U-15. Trajnerët e ekipeve kombëtare ishin në skadencë kontrate dhe pas një procesi konsultimi Federata Shqiptare e Futbollit mori vendimin përfundimtar, duke konfirmuar dy prej tyre dhe duke emëruar trajnerë të rinj në pesë ekipet e tjera.