FSK-ja angazhohet në shuarjen e zjarreve në Skenderaj dhe Prishtinë
Për shkak të thatësisë dhe temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë në vendin tonë, janë shpeshtuar ndezjet e pyjeve.
Ekipet zjarrfikëse të FSK-së, të martën dhe të mërkurën janë angazhuar në mbështetje të pushtetit lokale për shuarjen e zjarreve në malet e Llaushës, Rakinicës dhe të fshatit Qubrel, Komuna e Skenderajt dhe në fshatin Vranidoll, Komuna e Prishtinës.
Në këto operacione është angazhuar Njësia e Task Forcës e FSK-së, me 33 pjesëtarë dhe shtatë automjete, të cilët që nga dita e martë kanë arritur t’i shuajnë zjarret në pjesën më të mëdha të pyjeve të këtyre anëve.
Ndërkaq, të mërkurën operacioni për shuarjen e zjarreve po vazhdon në fshatrat Llaushë, Qubrel dhe Vranidoll.
“Bëjmë apel te të gjithë qytetarët e Kosovës që të mos i ndezin mbeturinat dhe djerrinat sepse në këtë mot të thatë lehtë shkaktohen dëme në malet e Kosovës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
/Epoka e re/