FSK-ja demonstron aftësitë në kushte dimërore
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar aktivitetin e demonstrimit të aftësive për manovrim me kapacitete të Operacioneve Speciale dhe Kërkim Shpëtimit malor në kushte dimërore.
Ai ka theksuar se Garda Kombëtare që është njësia kryesore e FSK-së, me kapacitete të reagimit në emergjenca civile duke përfshirë kapacitet e njësisë së Kërkim Shpëtimit (KSH), në bashkëpunim me njësinë e Operacioneve Speciale, me qëllim të demonstrimit të aftësive për planifikim dhe ekzekutim të operacioneve të KSH malor demonstruan; Evakuimin e të lënduarve me teleferik; Operacionet me motor-ski; Operacionet e Kërkim-Shpëtimit me K9 (qenë); Kërkim-Shpëtimi në Ortek; Trajtimin e të lënduarve; Qitjet me precizitet të lartë dhe aktivitete tjera.
“Ky aktivitet gjithashtu shërben në funksion të testimit dhe ngritjes profesionale të Forcës në ofrimin e Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile (MUAC) sipas mandatit dhe misionit të Forcës. Përgëzoj gjeneral B. Jasharin dhe udhëheqësinë e njësive për profesionalizimin e treguar në planifikimin, përgatitjen dhe ekzekutimin e këtij demonstrimi”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.