FSK-ja dhe EUCOM-i pajtohen për thellimin e bashkëpunimit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur të mërkurën në takim gjeneralmajor John Phillips, drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në EUCOM.
Fillimisht gjeneral Jashari e informoi gjeneralin Phillips mbi të arriturat e FSK-së në përgjithësi dhe në veçanti të arriturat e FSK-së në fushën e komunikimit dhe mbrojtjes kibernetike.
Pastaj takimi u fokusua në rreziqet e mundshme nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin dhe ngritjen e forcave të armatosura.
Më pas gjeneralmajor Phillips, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me FSK-në në sigurinë e informacioneve dhe komunikimit.
Phillips përgëzoi gjeneral Jasharin për arritjet e jashtëzakonshme që janë bërë në zhvillimin e FSK-së.
Në fund të takimit të dy gjeneralët u pajtuan që në të ardhmen të thellojnë bashkëpunimin në fushën e komunikimit përmes Marrëveshjes për Ndërveprimin dhe Sigurinë e Komunikimeve.
Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.