FSK-ja dhe NATO-ja koordinojnë aktivitetet
Në ambientet e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) nën kryesimin e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, të premten u zhvillua takimi i dytë zyrtar në mes të lidershipit të FSK-së dhe Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë dhe FSK-në.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, fillimisht ka theksuar rëndësinë e këtij takimi ndërmjet udhëheqësve të FSK-së dhe NALT-it, si organizatë dhe mekanizëm që punojnë shumë ngushtë bashkërisht, si dhe me një koordinim të vazhdueshëm në të mirë të zhvillimit dhe avancimit të FSK-së.
Drejtori i NALT-it, gjenerali Hoffmann, në fjalën e tij u interesua rreth pozicionit aktual të FSK-së, aktiviteteve dhe planeve për të ardhmen.
Ndërsa, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjenerali Csombock u fokusua në ndërveprimet e suksesshme ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së, sidomos në ushtrimet e përbashkëta fushore.
Ky ishte takimi i dytë me radhë i udhëheqësve të FSK-së dhe NALT-it, i cili mbahet me qëllim informimi, koordinimi dhe harmonizimi të aktiviteteve të përbashkëta.