FSK-ja drejt shndërrimit në ushtri, do të ketë 8 mijë ushtarë
Publikohen dokumentet ku tregohet se FSK do të ketë deri në 5 mijë pjesëtarë aktiv, ndërsa 3 mijë të tjerë mund t’i ketë rezervë.
Tri draft-ligjet që i shtojnë kompetenca Forcë së Sigurisë së Kosovës, e të cilat u miratuan në komision parlamentar, theksojnë se kjo forcë do të ketë 8 mijë pjesëtarë, prej të cilëve 5 mijë mund të jenë aktiv dhe 3 mijë rezervë.
“FSK përbëhet nga një komponentë aktive prej jo më shumë se pesë mijë (5000) pjesëtarë dhe nga një komponentë rezervë prej jo më shumë se tre mijë (3000) pjesëtarë”, thuhet në nenin 23 të projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Trupat, që do të kenë mision, mbrojtjen e integritetit territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës, do të jenë e pajisur me armë dhe sisteme të armatimit, në përputhje me nevojat FSK-së, për përmbushjen e kompetencave dhe detyrave të saj.
Në këto projektligje, nuk specifikohet armatimi që do të ketë në dispozicion, por që thuhet se është e ndërtuar sipas standardeve të ndërveprueshme me NATO.
Neni 10, flet për forcën që FSK mund të përdor, e që mund të jetë vdekjeprurëse.
“Përdorimi i forcës, duke përfshirë forcën vdekjeprurëse, përfshin përdorimin e të gjitha armëve, sistemeve të armëve dhe mjeteve Në misione jashtë vendit përdorimi i forcës bëhet sipas rregullave të angazhimit të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, në zbatim të misionit të caktuar në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në ligj.
Edhe me ligjin e ri, Presidenti i vendit është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës para së cilit edhe pjesëtarët e bëjnë betimin. Kryeministri, kontroll mbi këtë forcë, mund të ketë përmes ministrit si autoriteti më i lartë i drejtimit politik.
Neni 6 i ligjit përcakton se Forca e Sigurisë së Kosovës është e paanshme dhe nuk mund të përdoret për veprimtari politike partiake.
Ndërsa, në draft ligjin për shërbim në FSK, shërbimi ushtarak nuk është obligativ për qytetarët, por vetëm për vullnetar. Mosha më e vogël e përcaktuar që mund të jenë pjesë e FSK-së, është 18 vjeçare.
“Shërbimi nё FSK, mund të ndërpritet nё mënyrë vullnetare dhe të detyrueshme, dhe të gjithë kanë të drejtë të ndërpresin vullnetarisht pas paralajmërimit paraprak në afat prej 30 ditësh”.
E në Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Në nenin e saj të parë thuhet se me këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe udhëhiqet nga Ministri i Mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes përfaqëson Republikën e Kosovës në nivel ndërkombëtar në çështjet e mbrojtjes, propozon buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe mbikëqyr shpenzimet nga buxheti i miratuar./RTV Dukagjini