FSK-ja, e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në luftën kundër koronavirusit
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut Radmila Shekerinska, ka pasur sot një bisedë telefonike me ministrin e mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Anton Quni.
Dy ministrat kanë biseduar për situatën e krijuar në dy shtetet pas përhapjes së pandemisë COVID-19, situatat e përgjithshme dhe menaxhimi i saj në shtet, gjendjen gatishmërisë dhe aktivitete e ushtrive përkatëse si dhe masat e marra për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme, të krijuar jo vetëm në nivel regjional por edhe ndërkombëtar.
Ministrja Shekerinska ka shprehur gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut, ushtrisë së saj, përkatësisht ka vënë në dispozicion shërbimet e njësisë Atomike, Kimike dhe Biologjike, për të ndihmuar në rast nevoje përballimin e gjendjes emergjente në Kosovë.
Ndërsa ministri Anton Quni, ka falënderuar përzemërsisht ministren Shekerinska për gatishmërinë e treguar në këto ditë të vështira.
Ai e ka njoftuar homologen e vet me situatë aktuale në Kosovë, me masat që janë marrë nga qeveria e vendit në përballimin dhe menaxhimin e kësaj situate të jashtëzakonshme.
Gjithashtu ai e ka njoftuar edhe me shkallën e gatishmërisë dhe aktivitet konkrete që po ndërmerrë FSK-ja për përballimin e kësaj situate, si brenda strukturës së vet dhe kontributin që po jep në nivel shtetëror.
Po ashtu ministres Shekerinska, Quni i ka shprehur gatishmërinë e FSK-së, për të ndihmuar në rast nevoje në Republikën e Maqedonisë së Veriut me kapacitetet e specializuara që ka në gatishmëri.