
FSK-ja e gatshme t’i ofrojë ndihmë Sllovenisë
07 gusht 2023
| 21:12
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, u ka shprehur autoriteteve sllovene gatishmërinë t’u ofrohet gjithë ndihma e nevojshme brenda kapaciteteve të FSK-së, duke parë gjendjen e vështirë me të cilën po përballen tash e disa ditë, pas reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe përmbytjeve në dy të tretat e vendit.
Ekipet e Gardës Kombëtare të FSK-së, të Njësisë së Kërkim-Shpëtimit, janë në gatishmëri të ofrojnë kontributin e tyre në evakuimin e banorëve në zonat e prekura si dhe vënien nën kontroll të situatës.
“Shpreh ngushëllime për jetët e humbura dhe solidarizim me të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga kjo stuhi. Shpresojmë që vendi sa më parë t’i kthehet normalitetit”, ka theksuar ministri Mehaj.