FSK-ja është e aftë për mbrojtje të territorit

09 gusht 2024 | 08:26

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës është e aftë edhe për detyra luftarake të mbrojtjes së territorit të Republikës së Kosovës.

“Kur e sqarova çështjen e zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës e theksova edhe fazën në të cilën Forca e Sigurisë së Kosovës gjendet, por gjithmonë çdo pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar kurse bazike ushtarake dhe kurse të tjera që i mundësojnë të jetë i gatshëm për operacione luftimi. Ne me gjitha kapacitetet që i kemi aktualisht jemi të aftë për të operuar dhe për të zhvilluar detyra të ndryshme, mes tyre edhe detyra luftarake të mbrojtjes së territorit”, tha Maqedonci.

Ministri shtoi se trajnimet dhe pajisjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë sipas standardeve të NATO-s.

“Motivi është shumë i lartë, përgatitja është shumë e lartë, pajisjet tona, sistemet armatimit janë sisteme që prokurohen kryesisht nga vendet e nga NATO, dhe sipas sistemit shtet me shtet duke komunikuar me ministritë përkatëse të vendeve të NATO-s, kryesisht nga SHBA-të, por edhe vende të tjera”, tha Maqedonci.

Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht është fazën e dytë të tranzicionit, fazë kjo e cila pritet të përfundojë në vitin 2025 me validimin e tri regjimenteve të këmbësorisë.

“Plani gjithëpërfshirës i tranzicionit, plan i hartuar me ShBA-në, ka hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe është ndarë në tri faza. Faza e parë ka qenë prej vitit 2019 deri në vitin 2022 kur Forca e Sigurisë së Kosovës pritej të ndërtonte kapacitetet e para të lidhura me kapacitetet e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile, të hartonte doktrinën, dokumentet tjera, programet trajnuese dhe të vendosë bazamentin e edukimit dhe shkollimit brenda FSK-së”.

“Në vitin 2025, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i ketë tri regjimente të validuara të këmbësorisë për të kaluar në fazën e tretë të tranzicionit që fillon në vitin 2025 dhe përfundon në vitin 2028 ku do të ndërtohen këto kapacitetet specifike që në gjuhën ushtarake quhen Kapacitetet e Mbështetjes Luftarake që janë mbështetja ajrore, artileria dhe kapacitetet tjera”, tha Maqedonci në Klan Kosova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia ka bllokuar qasjen në platformën e lojërave online Roblox…