FSK-ja fillon punën për çminimin e zonave të kontaminuar me mjete eksplozive
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), përkatësisht Kompania e Deminimit, në bazë të planit të veprimit për vitin 2019, ka filluar sezonin veror të deminimit, duke pastruar zonat e minuara nga dora e njeriut si dhe ato të kontaminuar me bomba kasetore nga ajri.
Për mbarëvajtjen dhe fillimin me sukses të këtyre operacioneve, FSK-ja ka marrë të gjitha masat e nevojshme.
Operacionet e para të çminimit për këtë vit, FSK-ja i ka filluar në lokacionin e Soqishtës, Komuna e Hanit të Elezit, për të vazhduar më pas me Komunën e Ferizajt, përkatësisht lokacionin “Parku i Lirisë” dhe hapësirën e kazermës “Skënderbeu” të FSK-së, si dhe lokacionin Babaj i Bokës në Komunën e Gjakovës.
Përveç operacioneve të dominimit, FSK-ja ka dy njësi të për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD), gjithherë të gatshme 24 orë për shtatë ditë të javës, për largimin e mjeteve të rrezikshme.
Këto njësi kujdestare reagojnë në çfarëdo kohe sapo qytetarët të njoftojnë për praninë e këtyre mjeteve.
Deri me tani njësitë e EOD-së kanë intervenuar në 2 700 raste dhe kanë demoluar 4 350 mjete të ndryshme eksplozive.
Kompania e Deminimit e Forcës së Sigurisë të Kosovës, pas përfundimit të sezonit të deminimit në fund të nëntorit të vitit 2018, gjatë periudhës së dimrit është përkujdesur për rifreskimin e njohurive të pjesëtarëve, duke organizuar trajnime në fusha të veçanta, si dhe ka organizuar mbajtjen e ligjëratave nëpër shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës, për vetëdijesimin e nxënësve nga rreziku i minave dhe mjeteve tjera eksplozive.
Prej që FSK-ja ka filluar operacionet e deminimit, nga viti 2010 njësitë e saj kanë pastruar 29 lokacione, me një sipërfaqe prej 2,191,201 metra katrorë dhe kanë gjetur 3 512 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera.
Që nga koha e luftës e deri më sot, 117 veta kanë humbur jetën si pasojë e minave dhe mjeteve tjera eksplozive, ndërsa 467 të tjerë janë lënduar.
/Epoka e re/