FSK-ja ka 100 pjesëtarë në teren për fikjen e zjarreve  

06 gusht 2021 | 11:02

Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kolonel Ejup Maqedonci, ka thënë se janë gjatë gjithë kohës pranë vatrave te zjarrit dhe fokus kryesor kanë ruajtjen e jetës së qytetarëve.

Në një intervistë për “KosovaPress”, Maqedonci ka deklaruar se FSK-ja është angazhuar në operacionet për fikjen e zjarrit nga 30 korriku, ku shton se vatra më e madhe e zjarrit vazhdon të mbetet fshati Shtupeq i Rugovës.

“Aktualisht zjarre ka ende në Shtupeq të Pejës, vatra të zjarrit kryesisht edhe pasi të fiken riaktivizohen dhe rindizen për shkak të erërave që janë duke vazhduar dhe normal motit të nxehtë. E kemi nën menaxhim dhe kontroll të plot gjendjen në fshatrat e komunës së Suharekës ku janë fikur zjarret si dhe gjatë mbrëmjes dhe orëve te hershme të mëngjesit të sotëm është fikur edhe zjarri në fshatin Peqan dhe Sllobozhan”, ka thënë ai.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht ka 100 pjesëtarë të angazhuar në terren për situatën e krijuar nga zjarri.

“FSK ka operuar gjatë këtyre ditëve me kapacitetet që i ka për gatishmëri që nënkupton përafërsisht gjatë gjithë kohës kemi pasur rreth 100 vetë të angazhuar në teren për këto operacione”, ka bërë të ditur ai.

Maqedonci ka shtuar se janë angazhuar ekipet zjarrfikëse dhe të këmbësorisë të destinuara për gatishmëri për të operuar në mbështetje të autoriteteve civile.

Zjarri është përhapur në disa komuna të Kosovës por vatra më e madhe vlerësohet se është fshati Shtupeq në Bjeshkët e Nemuna të Rugovës. Në këtë fshat ka ndërhyrë edhe KFOR-i përmes helikopterëve ku deri tani ka pasur mbi 45 fluturime zjarrfikëse në këtë zonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina arriti një fitore të madhe ndaj Bodo/Glimt në…