FSK-ja mban ligjërata për vetëdijesimin nga rreziku i mjeteve piroteknike
Tashmë që po afrohen festat e fundvitit, përdorimi i mjeteve piroteknike nga ana e të rinjve në Kosovë është rritur me të madhe.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit nëpër komuna, ka organizuar fushatë vetëdijesimi nëpër shkollat fillore të Kosovës me qëllim të ndërgjegjësimit të nxënësve për rrezikun që mund të shkaktojë përdorimi nga ana e tyre i mjeteve piroteknike.
Fushata është realizuar nga data 10 deri më 19 dhjetor dhe janë përfshirë nxënës të shkollave fillore të Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt, Gjilanit dhe Dragashit.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 17 orë mësimi ku kanë marrë pjesë mbi 1 000 nxënës.
Ligjëratat janë mbajtur nga instruktorët e Kompanisë së Deminimit, të cilët janë të përgatitur dhe të trajnuar për mjete të rrezikshme.
Nxënësit shfaqen interesim të madh gjatë këtyre ligjëratave, gjë që u pa edhe nga pyetjet e tyre të shumta rreth këtyre mjeteve.
Vlen të ceket se një numër i madh i tyre ishin mjaft të zëshëm kundër përdorimit të tyre.
Instruktorët ligjërues të angazhuar në këtë aktivitet, rreshter Valon Abdyli, tetar Butrint Kastrati, tetar Liridona Musaj, tetar Shpejtim Gashi, shprehen mjaft të kënaqur me interesimin e nxënësve dhe angazhimin e personelit të shkollave ku janë realizuar këto ligjërata.
/Epoka e re/