FSK-ja mban ligjërata rreth vetëdijesimit të nxënësve nga rreziku i mjeteve të pashpërthyera
Në disa nga shkollat fillore të komunës së Prishtinës, Klinës dhe Malishevës, instruktorë të Kompanisë së Deminimit të FSK-së, edhe këtë vit, që nga 20 shkurti, kanë filluar mbajtjen e ligjëratave rreth vetëdijesimit të nxënësve nga rreziku i mjeteve të pashpërthyera.
Këto ligjërata po realizohen në bazë të planit të Departamentit për Bashkëpunim Civilo – Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes me drejtoritë e arsimit të të gjitha komunave të Republikës së Kosovës.
Ligjëratat e para për këtë vit u realizuan në Shkollën Fillore “Tre Dëshmorët” në fshatin Jashanicë e Ulët, dhe në paralelen e saj në Jashanicë të Lartë, në Komunën e Klinës.
Interesimi i nxënësve ishte jashtëzakonisht i lartë për të marrë njohuri për llojet e mjeteve të pashpërthyera, rrezikun nga to, si dhe veprimin e procedurave standarde në rastet kur hasin në to.
Instruktorët e deminimit aktivitetin për vetëdijesimin e nxënësve nga rreziku i mjeteve të pashpërthyera do ta vazhdojnë nëpër shkollat e Republikës së Kosovës deri më 4 mars.
/Epoka e re/