FSK-ja mbështet Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut
Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut në Kosovë, për nder të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut (14 qershorit) të mërkurën në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ka organizuar javën e dhurimit vullnetar të gjakut.
Java e dhurimit vullnetar të gjakut ka filluar më 18 qershor dhe do të përfundojë më 22 qershor.
“Për rëndësinë që ka sigurimi në kohë i gjakut dhe produkteve të tij, gjatë kësaj jave do të jetë në fokus edhe falënderimi për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut të cilët me dhurimin e gjakut të tyre shpëtojnë jetë çdo ditë. Këtij aksioni vullnetar iu bashkuan shumë pjesëtarë të FSK-së, qytetarë të shumtë, kalimtarë të rastit, por edhe grupe të organizuara që me vullnetin e mirë i ishin përgjigjur këtij aksioni”, është thënë në njoftimin e FSK-së.
FSK-ja si çdo vit edhe këtë vit e ka mbështetur Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut me mjete logjistike.
Në sheshin “Nënë Tereza” ka ngritur një tendë për të gjithë vullnetarët që dhurojnë gjak.
Aksionit iu përgjigjën një numër i madh i pjesëtarëve të FSK-së, të cilët edhe përgjatë vitit në mënyrë të organizuar dhurojnë gjak.
Qindra doza gjak grumbullohen nga këta pjesëtarë për nevojat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës.
/Epoka e re/