FSK-ja merr pjesë në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe’
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në stërvitjen “Defender – Europe 23” me mbi 1000 ushtarë.
“Vendi ynë do të jetë ndër vendet pritëse të kësaj stërvitje dhe FSK merr pjesë me mbi 1 300 pjesëtarë”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mehajt:
Forca e Sigurisë së Kosovës krah për krah me forcat amerikane dhe aleatëve tjerë në finalizim të fazës planifikuese të Stërvitjes së përbashkët “Defender- Europe 23”
Ekipi planifikues i FSK-së së bashku me ekipin e forcave amerikane dhe forcave tjera aleate janë duke zhvilluar konferencën finale planifikuese katërditore të stërvitjes “DEFENDER- Europe 23” në Budapest të Hungarisë.
Stërvitja “DEFENDER- Europe 23” është stërvitje e shkallës së gjerë që organizohet nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë me forcat e vendeve aleate të 25 vendeve të NATO-s dhe partnerëve të saj.
Vendi ynë do të jetë ndër vendet pritëse të kësaj stërvitje dhe FSK merr pjesë me mbi 1300 pjesëtarë.
Objektivat kryesore të FSK në këtë stërvitje janë rritja e ndërveprueshmërisë, validimi i kapaciteteve të këmbësorisë, validimi i kapaciteteve të mbështetjes dhe vlerësimi i mbështetjes mjekësore.